Lidhje

Turqia kërkon “veprime konkrete” amerikane kundër guerrilasve kurdë


Ministri turk i Mbrojtjes i tha Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Robert Gates se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin masa konkrete kundër guerrilasve kurdë në Irakun Verior, të cilët në një sulm të fundit vranë të paktën 12 ushtarë turq, plagosën 16, ndërsa 10 të tjerëve nuk u dihet fati. Por ministri la gjithashtu të kuptohet se Turqia nuk ka ndërmend të ndërhyjë së shpejti. Dy zyrtarët folën pas një takimi në Kiev të dielën. Ministri turk i mbrojtjes Vecdi Gonul doli nga një takim gjysmë orësh me Sekretarin Gates duke thënë se Turqia do që Shtetet e Bashkuara të marrin masa.

“Deri tani kemi këmbyer informacione zbulimi dhe ata kanë bërë disa gjëra, por ne do të donim të shihnim diçka konkrete”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse e kishte fjalën për ndërhyrje ushtarake, ministri u përgjigj: “Çdo lloj veprimi konkret”.

Ministri Gonul tha se populli turk po vuan nga sulmet e Partisë Punëtore të Kurdistanit dhe u shpreh: “Djemtë tanë po vriten”. Por njëkohësisht, ai la të kuptohej se ndërsa strategët ushtarakë turq po punojnë për të planifikuar një ndërhyrje të mundshme në Irak, autorizuar nga parlamenti javën e kaluar, kjo ndërhyrje nuk do të jetë e shpejtë.

“Nuk është urgjent. Ata po bëjnë plane për kalimin përtej kufirit, së pari sepse është e rëndësishme të mblidhet informacion i mjaftueshëm. Dhe për këtë ne duam të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara”.

Sekretari Gates e përshëndeti këtë qëndrim.

“Më vjen mirë që mesa duket ai lë të kuptohet se nuk ekziston nxitimi për të vepruar në mënyrë të njëanshme dhe besoj se kjo është diçka e mirë”.

Por sekretari nuk pranoi të thoshte se çfarë masash do të ishin të gatshme të merrnin Shtetet e Bashkuara, përveç këmbimit të informacioneve të zbulimit.

“Ne kemi marrë disa veprime në kuadrin e bashkëpunimit me qeverinë e Turqisë. Mendoj se sfida e parë dhe më e rëndësishme, siç ndodh gjithnjë kur bëhet fjalë për terrorizmin, është zbulimi. Dhe unë i thashë se duke qenë se mungon informacioni kritik i zbulimit, po të dërgosh një forcë masive përtej kufirit pa pasur një objektiv konkret, do të shkaktonte dëme që nuk i do askush”.

Sekretari Gates dhe Ministri Gonul u takuan në kuadrin e një konference të Ministrave të Mbrojtjes së Evropës Juglindore. Ministri Gonul njofton se kryeministri turk do takohet me Presidentin Bush pas dy javësh, por nuk premtoi se Turqia nuk do të reagojë ndaj sulmeve të fundit kurde deri atëherë, duke thënë se vendimi për të vepruar është një çështje taktike. //kk//

XS
SM
MD
LG