Lidhje

Ndikimi i prirjeve fetare të kandidatëve në fushatën e zgjedhjeve


Ndërsa çështja e besimit nuk është e re në politikën amerikane, si kandidatët demokratë ashtu edhe ata republikanë po flasin më shpesh për prirjet e tyre fetare veçanërisht pas një paralajmërimi të të krishterëve evangjelistë se do të mbështesin kandidatin e një partie të tretë nëse Rudolf Guliani që kryeson deri tani do të jetë i emëruari i partisë së tij.

Republikanët evangjelistë janë një prej grupeve më me ndikim në Shtetet e Bashkuara, që përbëjnë 1 të pestën e elektoratit. Ndërsa ata unanimisht e mbështetën Presidentin George Bush në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, shumë vëzhgues thonë tani para se zgjedhjeve të vitit 2008, ky grup zgjedhësish është i ndarë në qëndrimin lidhur me kandidatët republikanë. Shumë analistë thonë se kjo është veçanërisht e vërtetë për ish kryebashkiakun e New Yorkut Rudolph Guliani, i cili mbështet të drejtën e abortit, dhe për ish guvernatorin e Masachusets Mitt Romney, i cili është i besimit Mormon dhe pikpamjet për abortin i bëjnë shumë evangjelistë të ndihen jo rehat. Për studiuesin e politikës Allan Hertzke , Drejtor i Studimeve të besimeve në Universitetin e Oklahomës, ndërthurja e besimit dhe politikës mund të ndryshojë skenën e zgjedhjeve të 2008.

“Në kampin republikan, ka përpjekje të paktën prej disa udhëheqësve të krishterë konservatorë për të nxjerrë jashtë gare Rudolf Gulianin. Kjo është një prej dinamikave të kësaj gare. Një tjetër aspekt është se kandidati tjetër është i besimit Mormon. Në botën e të krishterëve evangjelistë, mormonizmi nuk është kristianizëm i vërtetë. Dhe nëse Mitt Romney do të jetë kandidati kryesor, kjo mund të jetë një faktor i rëndësishëm për disa votues evangjelistë”.

Hertzke argumenton se e njëjta dinamikë fetare është e rëndësishme dhe për garën e demokratëve për Shtëpinë e Bardhë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, sondazhet treguan se vetëm 21 përqind e republikanëve evangjelistë republikanë votuan për kandidatin demokrat për president John Kerry. Dhe në vitin 2006, vetëm 27 për qind votuan për kandidatët demokratë në kongres, sipas forumit Pew mbi Besimin dhe jetën publike.

Demokratët nuk humbën thjesht evangjelistët protestanë në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe për Kongresin. Ata nuk arritën të siguronin votën e katolikëve amerikanë, thotë Allen Hertzke. Vota katolike, shpjegon Hertzke, shpesh luhatet mes demokratëve dhe republikanëve, duke ndihmuar të zgjidhet Bill Klinton në 1990, dhe George Bush në vitin 2004.

“Katolikët janë çereku i elektoratit. Ata karakterizojnë votuesit e pavendosur. Shpesh votat e tyre janë pasqyrë e përqindjes së luhatjes kombëtare në votime. Dhe këtë vit, është mjaft e mundur që katolikët të priren drejt demokratëve për shkak të shqetësimeve të tyre rreth pabarazisë, drejtësisë ekonomike, luftës në Irak, ndotjes së ambjentit. Dhe arsyeja pse ata janë të pavendosur në votat e tyre është sepse disa prej tyre janë republikanë me bindje të forta, dhe disa prej tyre me bindje të forta demokrate. Por një numër i rëndësishëm i votuesve janë të pavarur dhe vota e tyre varet nga rëndësia e çështjeve për të cilat votojnë si dhe nga kualiteti i kandidatëve. Ndaj dhe votat lëvizin sa majtas djathtas.”

Shumë analistë mendojnë se ndryshimi po ndodh falë përçarjeve etnike, fetare, sociale dhe politike brenda komunitetit katolik. Ndikimi i katolikëve hispanikë është rritur veçanërisht vitet e fundit në lojën politike, sipas Timothy Matovinës, Drejtor i Qendrës Cushwa për studimet e Amerikanëve katolikë në Universitetin e notre Damit.

“Hispanikët, megjithëse kanë tendencën të votojnë më tepër për Demokratët se Republikanët, tradicionalisht janë më të prirur drejt shqetësimit republikan për vlerat e familjes, dhe shqetësimeve sociale të Demokratëve. Natyrisht që imigracioni është një çështje e madhe për ta tani. Dhe ende nuk është e qartë krejtësisht se si do të jetë vota latine në zgjedhjet e ardhshme”.

Ndërsa Katolikët dhe Protestanët evangjelistë krijojnë bllokun më të madh të votuesve besimtarë, shumë analistë thonë se kandidatët demokratë dhe republikanë duhet gjithashtu t’u bëjnë thirrje muslimanëve, hebrenjve dhe drejtimit kryesor të protestanëve.

Sido që lavjerrësi politik të lëkundet- drejt evangjelistëve, katolikëve, rrymës kryesore protestane apo të ndonjë dominimi tjetër- shumë analistë janë dakort që besimi do të luaj një rrol vendimtar në përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG