Lidhje

Bisedimet e Vienës Prishtinë-Beograd përfundojnë pa marrëveshje, palët do të takohen përsëri më 5 nëntor


Negociatorët evropianë, rusë dhe amerikanë zhvilluan sot një raund të tretë bisedimesh me përfaqësuesit shqiptarë e ata serbë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.

Përfaqësuesit e të dy palëve thanë se në takimin e sotëm nuk u bë përparim, megjithatë ata ranë dakord të takohen përsëri në Vienë më 5 nëntor.

Anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës këmbëngulën përsëri për njohjen e pavarësisë së Kosovës deri në fund të raundit të tanishëm të bisedimeve, i cili përfundon 10 dhjetor. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, theksoi nevojën për një kompromis dhe insistoi se bisedimet duhet të vazhdojnë matanë afatit të 10 dhjetorit.

Para bisedimeve të sotme, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Volfgang Ishinger, u tha gazetarëve se një dokument me 14 pika të mundshme për marrëveshje do të jetë në krye të rendit të ditës së bisedimeve të sotme në Vienë.

Agjencitë perëndimore të lajmeve i përshkruajnë propozimet e reja të ngjashme me planin e Kombeve të Bashkuara të hartuar në fillim të vitit nga i dërguari i posaçëm Marti Ahtisari.

Lajmet bëjnë të ditur se dokumenti i ri nuk përmen hapur kërkesat e shqiptarëve të Kosovçs për pavarësi nga Serbia, por i siguron shqiptarët se Serbia nuk do të ri vendosë praninë fizike në Kosovë. (ze)

XS
SM
MD
LG