Lidhje

Shqipëri: Kryeprokurori Sollaku përballet me kërkesën e re për shkarkim

  • Armand Mero
  • Tiranë

Për herë të dytë sot kryeprokuori Theodhori Sollaku ndodhej në Parlament për t’u përballur me kërkesën e re për shkarkimin e tij.

Janë 28 deputetë të së djathtës të cilët kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor. Një kërkesë, e cila sipas zotit Sollaku është tërësisht jokushtetuese e që përbën, sipas tij, një zhvillim të rrezikshëm drejt paralizimit të institucioneve të pavaruara dhe vënien e tyre përfundimisht nën varësinë e ekzekutivit, tha ai.

Nisma e re është antikushtetuese, shpjegoi Kryeprokuori, pasi synon sërish të ndërhyjë në kompetencat e një organi që nuk varet nga parlamenti:

“Vendimet e prokurorëve për mosfillimin e procedimit, pushimin e tij apo dërgimin për gjykim janë akte që mbështeten në kritere ligjore të parashikuara në ligj. Në këtë kuptim, ligjvënësit që kanë nënshkruar kërkesën përsëri marrin atributet e gjyqtarit, duke vlerësuar drejtësinë e këtyre vendimeve. Ringritja e kësaj çështje për herë të dytë sjell si pasojë cënimin e përsëritur të dokumentit themeltar të shtetit dhe kjo është e palejueshme dhe e pamoralshme në një shtet të së drejtës”,- tha zoti Sollaku.

Në kërkesën e deputetëve demokratë, Kryeprokuori akuzohet se ka shkelur rëndë ligjin, në trajtimin e papërgjegjshëm të kallëzimeve penale të depozituara, pasi numri i çështjeve të dërguara për gjykim, është shumë më I vogël se ai i denoncimeve.

Por sipas zotit Sollaku, është normale që në gjykatë të përfundojnë vetëm çështjet për të cilat ka prova të mjaftueshme:

“Është për të ardhur keq, që vazhdohet të operohet me shifra statistikore jo vetëm të pasakta, por edhe të interpretuara sipas mendësisë së krijuar nga standartet e sistemit totalitar inkuizitor, sipas të cilave çdo person i hetuar objektivisht, është fajtor dhe duhet të gjykohet dhe të ndëshkohet. Procesi ynë penal ka ndryshuar katërcipërisht me kodin e ri të procedurës, ndaj këto standarte vlerësimi nuk mund të përdoren më”, - tha zoti Sollaku.

Ai akuzohet gjithashtu, për trajtim të papërgjegjshëm të çështjeve të pushuara nga gjykata për mungesë provash, por edhe këtë akuzë, Kryeprokuori e quajti të pabazë, ashtu sikundër hodhi poshtë edhe akuzat që lidhen me ekstradimet ku sipas deputetëve me dhjetra kriminelë që kanë kryer krime jashtë vendit lëvizin lirisht.

Në kërkesë thuhet, se Prokurori i Përgjithshëm ka marrë atributet e Ministrisë së Drejtësisë:

“Prokurori i Pergjithshëm në asnjë rast nuk është përpjekur të marrë atributet e Ministrise se Drejtesise dhe po ashtu, nuk ka asnjë rast të njohur në pesë vitet që jam në këtë në detyrë që Ministria e Drejtesisë i ka dhënë rrugë një ekstradimi të caktuar dhe Prokurori i Pergjithshem ta këtë refuzuar.”

Kryeprokurori Sollaku deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet, por se do të pranonte largimin e tij, nëse kjo do të vinte si pasojë e reformës së sistemit të Drejtësisë:

“Unë e kam shprehur tashmë vullnetin tim për të kontribuar pa asnjë rezervë në reformimin e sistemit, edhe sikur ky reformim të sjellë pashmangshmërisht largimin tim nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Mbajtja e postit me çdo çmim nuk është pjesë e projekteve të karierës time profesionale. Por, si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës, unë kam përgjegjësinë dhe detyrimin që të mbroj pavarësinë dhe parimet demokratike të funksionimit të organit të akuzës. Ju siguroj edhe njëherë, zotërinj deputetë, se sot ndjehem edhe më i vendosur për t’i mbrojtur ato”,- tha Sollaku.

Për një kohë të gjatë anëtarët e komisionit të ligjeve u përfshinë ne debate. Përfaqësuesit e opozitës mbrojtën idenë, se nisma për komisionin hetimor ishtë në kundërshtim me ligjet dhe se e vetmja e re ishte fakti që tani në krye të shtetit ishte një president i ri i ardhur nga e djathta.

Deputeti socialist Fatmir Xhafa kërkoi që kërkesa të refuzohej:

“Kërkesa numër 2 e 28 deputetëve për nisjen e procedurave të shkarkimit nga detyra, të prokuorit të përgjithshëm, për mendim tim është një kërkesë që në formë e në përmbajtje është në kundërshtim të hapur me kushtetutën , me ligjin për organizimin e Prokurorisë dhe me vetë rregulloren e kuvendit. Nëse Kuvendi do të miratonte këtë kërkesë e do t’i hapte rrugë procesit hetimor kjo do të ishte pa dyshim një goditje e rëndë për konsensusin e dhënë nga të gjitha palët për reformën në drejtësi”,- tha deputeti Xhafa.

Por Kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja hodhi poshtë pretendimet për shkelje, duke theksuar se kjo kërkesë ndryshon nga ajo e një viti më parë:

“Ka një dallim thelbësor mes kërkesës së parë dhe të dytë. Kërkesa e parë është ajo për të cilën shprehet Gjykata kushtetuese. Në kërkesën e dytë nuk keni asnjë rast konkret individual për të cilin kërkohet hetim I thelluar. Bëhet fjalë për dukuri Brenda sistemit të cilat kanë patur pasoja të rënda për shoqërinë shqiptare dhe për sisitemin e prokurorisë”, - tha Beja.

Votat e shumicës së anëtarëve të Komisionit, kundrejt përfaqësuesve të opozitës bënë që të miratohet kërkesa për komision dhe ajo t’I kalojë seancës së parlamentit për të marrë vendim.//lk

XS
SM
MD
LG