Lidhje

Greqia, Maqedonia gati për bisedime të reja mbi emrin “Maqedoni”


Një i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara thotë se Greqia dhe Maqedonia do të zhvillojnë javën tjetër bisedime të reja lidhur me mosmarrëveshjen e vjetër që ka të bëjë me emrin “Maqedoni”.

Zoti Methju Nimec tha dje se shpreson që bisedimet e reja të çojnë në diskutime më intensive të cilat do të gjenin një zgjidhje të kënaqëshme për të dyja palët.

Nimec tha se ai do të takohet me përfaqësuesit grekë dhe maqedonas në Nju Jork më 1 nëntor. Sipas tij, dy vendet kanë shfaqur një dëshirë të sinqertë për zgjidhjen e problemit. Që nga muaji maj nuk ka patur bisedime për këtë çështje.

Maqedonia e mori emrin e saj kur shpalli pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991. Ajo mban të njëjtin emër si edhe krahina në Greqinë veriore që është vendlindja e heroit të lashtësisë Aleksandr i Madh.

Greqia thotë se përdorimi i këtij emri përbën një pretendim ndaj territorit të saj dhe ka kërcënuar se do të bllokojë anëtarësimin e mundshëm të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian. //ii

XS
SM
MD
LG