Lidhje

Zgjedhjet 2008: Hillari Klinton "marshon" drejt emërimit të partisë së saj


Anketat e fundit të opinionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se senatorja Hillari Klinton po e thellon diferencën e saj nga kandidatët e tjerë rivalë, për të marrë emërimin e Partisë Demokrate, si kandidate për presidente në zgjedhjet e 2008-s. Siç njofton korrespondenti ynë, shumë demokratë dhe ekspertë politikë e kanë tashmë të vështirë t’i përgjigjen pyetjes se cili kandidat tjetër demokrat do të mund ta frenonte marshimin e zonjës Klinton drejt emërimit.

Anketa e fundit e opinionit Gallup nxjerr se zonja Klinton qendron në krye me 50% e ndjekur nga senatori Barak Obama i shtetit Ilinoi me 21% dhe ish senatori Xhon Eduards i Karolinës së Veriut me 13%.

Të pesë kandidatët e tjerë demokratë qendrojnë shumë më prapa. Diferenca e zonjës Klinton me rivalët e tjerë është thelluar muajt e fundit, ndërkohë që ritmet e fushatës kanë filluar të shpejtohen.

"Nëse jeni të gatshëm për ndryshim, unë jam e gatshme të udhëheq dhe ky vend ka nevojë të dëshpëruar për një udhëheqje," - tha Klinton.

Shumica e ekspertëve politikë thonë se zonja Klinton duket mjaft e stabilizuar në rrugën e saj drejt fitores së emërimit të Partisë Demokrate, megjithëse procesi i përzgjedhjes do të fillojë në muajin janar.

Ja ç’thotë Stefen Uejni, studiues i shkencave politike në Universitetin Xhorxhtaun të Uashingtonit.

"Tani për tani, fushata e saj është shumë e shkathët dhe nëse vazhdon kështu, ajo do ta fitojë emërimin. Përqindjet e saj në anketa nuk kanë rënë, përkundrazi janë rritur gjatë fushatës."

Allan Lihtman, historian për çështjet e presidencës në Universitetin Amerikan të Uashingtonit, shprehet kështu.

"Ajo është shumë e displinuar dhe e konsoliduar në procesin e fushatës. Ka një diferencë shumë të madhe nga rivalët në anketa dhe emri i saj ka një reputacion pothuajse universal. Dhe mendoj se ekziston një dëshirë në rritje brenda Amerikës për të parë një grua të emërohet për postin e presidentit" ,-thotë historiani.

Zonja Klinton e ka përmirësuar pozicionimin në anketa edhe në disa prej shteteve ku do të fillojnë garat e para mes kandidatëve brenda secilës parti. Ajo kryeson në Ajova dhe Nju Hampshër, dy shtetet ku tradicionalisht fillojnë garat përzgjedhëse branda partive në muajin janar.

Ja ç’thotë Dante Skala, ekspert për garat presidenciale në Universitetin Nju Hampshër.

"Tani shohim një garë shumë më të stabilizuar. Aktualisht, Hillari Klinton ka një diferencë mjaft të madhe nga të tjerët dhe më ka haitur fakti se sa mirë fushata e saj i ka përballuar vështirësitë që dalin kur je në krye të garës."

Por megjithë kryesimin absolut në anketa, Hillari Klinton është një figurë polarizuese në politikën amerikane. Disa demokratë shqetësohen, se votuesit e pavarur dhe republikanët e moderuar do të ngurrojnë ta mbështesin atë nëse ajo merr emërimin demokrat si kandidate për presidente.

Disa nga rivalët demokratë të zonjës Klinton, e kanë ngritur këtë shqetësim gjatë fushatës. Zonja Klinton ka qenë në gjendje ta përballojë sfidën e fortë të Senatorit Obama, i cili është një figurë relativisht e re në skenën politike të vendit. Obama ka qenë po aq i efektshëm sa edhe ajo në aspektin e mbledhjes së fondeve për fushatë dhe po përpiqet t’i joshë ata demokratë të cilët kërkojnë një fytyrë të re për president në vitin 2008.

Historiani Allan Lihtman shprehet:

"Barack Obama, i cili është në vend të dytë në anketa, ka ngjallur mjaft entusiazëm dhe është treguar mjaft i suksesshëm në mbledhjen e fondeve për fushatë por ai ende nuk u ka dhënë amerikanëve një arësye bindëse se përse ata nuk duhet të zgjedhin zonjën Klinton. Gjithashtu, më duket se ka një përshtypje se ai mund të mos jetë ende 100 përqind gati dhe se ai është më tepër një kandidat për të ardhmen se sa për tani."

Analisti Lihtman thotë se zonja Klinton i ka zemëruar një pjesë të demokratëve, që janë kundër luftës, duke mos premtuar një tërheqje të menjëhershme të trupave amerikane nga Iraku nëse zgjidhet. Por analisti thotë gjithashtu se debatet mes rivalëve demokratë lidhur me Irakun dhe me marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Iranin vështirë se mund t’i kërcënojnë shanset e zonjës Klinton për të fituar emërimin.

"Mendoj se ajo natyrisht që ka disa pika të dobëta për bazën liberal demokrate të votuesve kur vjen puna për politikën e saj lidhur me Iranin ose Irakun. Por do të jetë shumë e vështirë që rivalët e saj t’i shfrytëzojnë këto dobësi dhe, tani për tani, asnjëri prej tyre nuk duket i gatshëm të fillojë një fushatë agresive kundër saj."

Përkundrazi, anketat tregojnë se demokratët mund të jenë të gatshëm të mbështesin zonjën Klinton si kandidatja demokrate më e aftë për të përballuar sulmet e republikanëve në zgjedhjet presidenciale.//lk

XS
SM
MD
LG