Lidhje

Studjuesit: Vizitat tek mjeku janë të nevojshme


Vizitat tek mjeku janë të nevojshme, edhe kur ndjehemi mirë

Kryerja e vizitave të rregullta tek mjeku është me shumë rëndësi, edhe kur ndonjë këmbëngul se ndjehet mirë me shëndet.

... Kështu mendonte edhe një grua nga shteti Minesota, e cila shkoi tek mjeku thjesht për t’u këshilluar për peshën e saj trupore. Dhe jo vetëm ajo, por edhe mjekët u befasua kur zbuluan në trupin e saj një tumor prej 10 kilogramësh.

Xhudi Meginis kishte ndjerë se po shëndoshej në pjesën e belit, por mendonte se kjo ishte pasojë e peshës së tepërt. Ajo nuk ndjente dhimbje, nuk kishte asnjë simptome sëmundje. Por një vizitë tek mjeku zbuloi se çështja ishte më serioze se kaq. Ajo që shkaktonte shtimin e peshës trupore të kësaj gruaje, ishte në fakt një rritje e ngadalshme e tumorit në vezore. Kur kirugët e hoqën tumorin dhe e peshuan, ai ishte rreth 10 kilogram.

Mjeku i saj, Methju Bentei thotë se tumori kishte madhësinë e një shalqini. Doktor Bentei thotë se për asrye se tumoret rriten ngadalë, nuk është e pazakontë që shumë njerëz të gabojnë duke e parë rëndimin si rritje të peshës trupore.

Kjo është arsyeja, përse ekspertët thonë se të mos shkosh tek mjeku qoftë të paktën edhe një herë në vit, pavarësisht se ndjehesh mirë e nuk vihet re ndonjë simptomë sëmundjeje, kjo nuk është ide e mirë.

Shkollat amerikane i kushtojnë rëndësi ushqimit të fëmijëve në mensa

Një studim i ri tregon se shkollat amerikane kanë bërë përparim përsa i përket ushqimeve në menzat e nxënësve. Në raport, lëshuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bëhen krahasime me rezultatet e një studimi të ngjashëm, të kryer në vitin 2 mijë.

Për shembull, numri i shkollave shtetërore që ndalojnë ofrimin e ushqimeve të pashëndetëshme u rrit nga 8 përqind në 32 përqind. Numri i shkollave fillore që tani kërkojnë pushime të rregullta midis orëve të mësimit u rrit nga 46 në 57 përqind.

Gjithashtu, tani rreth 70 përqind e shkollave ndalojnë përdorimin e duhanit në të gjitha mjediset e tyre të brendëshme e të jashtme. Kjo shifër është 20 përqind më e lartë sesa 7 vjet më parë. Por në raport thuhet se mbetet ende shumë për t’u bërë.

Për shembull, megjithëse mbipesha mes fëmijëve amerikanë është problem, lënda e edukatës fizike nuk është e detyrueshme në 22 përqind të shkollave të vendit, ndërsa 20 përqind e shkollave nuk kanë në personelin e tyre psikologë për të këshilluar fëmijët me nevoja emocionale.

Gjenet, shpeshherë faktor përcaktues tek kanceri i gjirit

Gjenet mund të ndikojnë në rrezikun e prekjes nga kanceri i gjirit te një grua, që nga momenti që ajo lind. Por kërkimet e reja tregojnë se edhe ADN-ja mund të ndihmojë për të përcaktuar, ose parashikuar mënyrat më të mira të trajtimit.

Studjuesit thone se gjenet luajnë një rol të madh në zhvillimin e kancerit të gjirit. Gratë që ndeshen me raste të shumëfishta të kancerit në gji në familjet e tyre, këshillohen të kontrollohen tek mjeku nëse kanë gjene të quajtur BRCA1 dhe BRCA2 që shikohen si gjene me rrezik të lartë të kancerit në gji.

Këto gjene janë të rralla, dhe ndeshen vetëm në 5 përqind të rasteve të kancerit të gjirit. Por gratë që i kanë këto gjene duhet t’i nënshtrohen kontrollit të vazhdueshëm për kancer në gji. Rreziku i tyre gjenetik është aq i lartë sa që disa gra mund të konsiderojnë edhe mundësinë e mastektomisë profilaktike për të pakësuar gjasat e prekjes nga kanceri në gji.

Kur kanceri i gjirit zhvillohet, ai mund të ndikohet edhe nga ADN-ja. Mjekët tani po shohin se trajtimet më të mira mund të kushtëzohen nga vetë gjenet në tumoret e gjirit, madje edhe në rastet kur kanceri ka gjasa të rikthehet. Për shembull, rezultatet e një kërkimi të ri gjenetik, tregojnë se shumë gra me kancer në gji mund të mos kenë ndonjë përfitim nga ilaçi kimoterapik Taxol. Ndërsa rezultate të studimeve të tjera tregojnë se forma të veçanta gjenetike mund të bëjnë ,që një grua me kancer në gji të mos ketë nevojë fare për kimoterapi.//lk

XS
SM
MD
LG