Lidhje

Zgjedhjet 2008: Rudi Xhuliani kryeson garën e Partisë Republikane

  • Xhim Malone
  • Uashington

Ish Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani vazhdon të udhëheqë anketat e opinionit në betejën mes rivalëve republikanë, për të marrë emërimin e kësaj partie, si kandidat për president. Megjithatë, siç njofton korrespondenti ynë, ekspertët politikë e shikojnë garën republikane si mjaft të hapur, ku ka ende një numër konkurrentësh të fortë.

Rudi Xhuliani, vërtet kryeson në anketat, por distanca që ai ka nga rivalët e tjerë është shumë më e vogël, po të krahasohet me avazhtazhin në të cilin ndodhet senatorja Hillari Klinton përballë të tjerëve në kampin e demokratëve.

Xhuliani ka përballë një sfidë të fuqishme nga ish senatori Fred Tomson i shtetit Tenesi, nga senatori i Arizonës, Xhon Mekein dhe nga ish guvernatori i shtetit Massaçusets Mit Romni. Një numër rivalësh të tjerë republikanë janë shumë prapa në anketat.

Fakti që Xhuliani qëndron në krye, është një e papritur e çuditëshme, sepse pikëpamjet e tij për çështje të tilla sociale, si aborti, të drejtat e homoseksualëve dhe kufizimi i armëve, që bien ndesh me qëndrimet e konservatorëve brenda Partisë Republikane. I

sh kryebashkiaku i Nju Jorkut mendon se republikanët duhet ta zgjedhin atë pasi ai do të ishte kandidati më i fuqishëm për t’u përballur me zonjën Hillari Klinton, nëse ajo fiton emërimin e Partisë Demokrate.

"Unë kam fuqinë më të madhe konkurruese ndaj zonjës Hillari Klinton dhe në këtë aspekt, kam epërsi shumë më të madhe se sa të tjerët. Unë mund t’i shkëpus asaj një numër shtetesh, që zakonisht votojnë për demokratët. Askush tjetër nuk e bën dotë këtë."

Ekspertët politikë thonë se Xhuliani mbetet në krye të kampit republikan, pasi njerëzit e vlerësojnë atë shumë pozitivisht për rolin drejtues që ai luajti në ditët që pasuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Ja ç’thotë historiani Allan Lichtman i Universitetit Amerikan në Uashington.

"Nuk ka një kandidat republikan që të jetë vërtet në krye dhe nga vështrimi i analistit, tani për tani nuk ekziston një kandidat republikan, që të jetë në gjendje të marrë emërimin. Rudi Xhuliani është paksa më përpara në anketa, por ai ka probleme të shumta me votuesit e bazës republikane lidhur me pikëpamjet e tij për çështjet sociale, si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve."

Edhe analistë të tjerë, e shikojnë mjaft të paparashikueshme garën në kampin republikan.

"Mendoj se gara republikane është e paqartë dhe brenda kësaj gare ka një depresion të përgjithshëm ashtu si tek shumë republikanë të tjerë."

Këto janë komentet e profesorit Stefen Uejni, që studion çështjet e qeverisjes në Universitetin Xhorxhtaun të Uashingtonit.

"Ata janë në depresion, për shkak të administratës së Presidentit Bush, për shkak se presidenti është jopopullor dhe për shkak të faktit që në Irak nuk po arrihet ndonjë sukses. Ata janë në depresion sepse asnjëri nga të katër kandidatët kryesorë republikanë nuk po arrin ta entusiazmojë bazën dhe ta bëjë atë për vete."

Kjo gjendje pasigurie në kampin republikan po ndihet edhe në shtete të tilla, si Nju Hampshër, ku do të zhvillohen garat e para mes kandidatëve brenda secilës parti. Ja ç’thotë Dante Skala, i cili jep lëndën e politikës në Universitetin e shtetit Nju Hampshër.

"Në kampin republikan, askush nuk e ka të sigurt fitoren. Biles, mendoj se kjo ka mundësi të jetë gara më e paparashikueshme mes kandidatëve republikanë që është parë ndonjëherë në historinë e garave të këtij lloji të cilat fillojnë tradicionalisht në shtetin Nju Hampër."

Konservatorët e çështjeve sociale janë një ndër grupet më të rëndësishëm të votuesve brenda Partisë Republikane. Por deri tani, as ata nuk kanë zgjedhur favoritin e tyre mes kandidatëve kryesorë republikanë, ku bëjnë pjesë Xhuliani, Tompson, Mekein, Romni dhe ish guvernatori i shtetit Arkansas, Majk Hakabi.

Eksperti Dante Skala thotë se vëren shenja të njëjta shqetësimi mes republikanëve edhe në shtetin e tij, Nju Hampshër.

"Mendoj se shkaku kryesor i kësaj është shqetësimi i vërtetë rreth së ardhmes së partisë, rreth administratës Bush dhe asaj që kjo administratë i ka bërë Partisë Republikane. Gjithashtu, mes votuesve republikanë ekziston një ndjenjë frike dhe zhgënjimi që nuk e shikon në anpn demokrate" ,- tha eksperti.

Mungesa e një kandidati bindës në kampin republikan mund të krijojë rastin, që një rival më pak i njohur në këtë parti, të dalë në krye gjatë garave të para brenda partisë të cilat përcaktojnë se cili do të jetë kandidati përfundimtar.

Gara e para do të zhvillohet në shtetin Ajova në fillim të muajit janar. Republikanët do ta emërojnë zyrtarisht kandidatin e tyre për president në kuvendin kombëtar të partisë që do të mbahet në muajin shtator në Minneapolis të shtetit Minesota.//lk

XS
SM
MD
LG