Lidhje

Në Kaliforninë jugore zjarret vazhdojnë për të katërtën ditë me radhë


Zjarrfikësit nga zonat perëndimore të Shteteve të Bashkuara po përballen për të katërtën ditë me zjarre masive në Kaliforninë jugore. Meteorologët thonë se erërat e forta, me shpejtësi gati 100 kilometra në orë, duhet të qetësohen sot, duke u dhënë zjarrfikësve mundësi më të mirë për të shuar zjarret.

Zjarret kanë djegur më shumë se 1 mijë e 500 shtëpi dhe ndërtesa të tjera dhe kanë detyruar evakuimin e mbi 500 mijë njerzve nga shtëpitë e tyre. Zjarret po përhapen si pasojë e erërave me mot të thatë e të nxehtë, duke djegur më shumë se 165 mijë hektarë në zonat midis Los Anxhelosit dhe San Diegos.

Të paktën 5 vetë kanë vdekur nga zjarret, mes tyre 3 të moshuar ndërsa po evakuoheshin. Të paktën 40 persona të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe 24 zjarrfikës. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarcenegër, tha se të paktën 68 mijë shtëpi vazhdojnë të jenë në rrezik dhe mbi 6 mijë zjarrfikës vazhdojnë të luftojnë me flakët.

Zyrtarët vendorë thonë se burimet e tyre janë konsumuar së tepërmi nga zjarret. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Bush do të vizitojë nesër Kaliforninë. Zëdhënësja Dana Perino tha se presidenti do të inspektojë nga afër vendet e shkatërruara nga zjarret, do të njihet me përpjekjet e emergjencës, do të takohet me njerëz të cilët janë prekur nga zjarret. Më parë, Presidenti Bush ka autorizuar dhënien e ndihmave nga qeveria federale për 7 zona të shkatërruara nga zjarret.

XS
SM
MD
LG