Lidhje

Thellohet hendeku mes të pasurve dhe varfërve në Kinë


Një 26 vjeçare me 17 miliardë dollarë është personi më i pasur në Kinë dhe në mbarë Azinë. Yang Huiyan e arriti statusin e saj të lakmueshëm falë aksioneve të mëdha në County Gardens Holdings, një kompani e zhvillimit të pasurive të patundshme, e themeluar nga i jati i saj.

Raporti Hurun e radhit Yang në listën e 800 njerëzve më të pasur të Kinës. Vitin e kaluar, raporti radhiti vetëm 15 miliarderë, por këtë vit ky numër u rrit në 108. Shifra do të thotë se Kina ka më shumë miliarderë sesa çdo vend tjetër në botë, përveç Shteteve të Bashkuara që kanë më shumë se 300.

Revista Forbes e cila dokumenton rregullisht këto tregues thotë se ka 36 miliarderë në Indi dhe 24 në Japoni. Rupert Hoogewerf, i cili boton raportin Hurun thotë se Yang Huiyan dhe shumë kinezë të tjerë shumë të pasur e bënë pasurinë e tyre duke vendosur kompanitë e tyre në tregun e aksioneve.

“Tregu i aksioneve gjatë vitit të kaluar është rritur me mbi 100 përqind në Kinë. Shtytësi kryesor është se ka shumë para jashtë vendit që kërkojnë mundësi investimi në Kinë. Edhe brenda vendit, është e njëjta arsye”.

Modernizimi i shpejtë i Kinës ka sjellë një rritje të madhe të ndërtimeve. Ndërtesa të reja ngrihen në qytete aq shpejt sa shkatërrohen të vjetrat. Banka Botërore ka llogaritur se midis këtij viti dhe 2015-ës gjysma e ndërtimeve në botë do të bëhen në Kinë. Hoogewerf thotë se e gjithë kjo pronë e re e palujtëshme ka krijuar shumë pasuri të menjëhershme.

“Vitin e kaluar shumë nga miliarderët u krijuan në pjesën më të madhe përmes pronës dhe shitjes me pakicë. Të dyja këto u shtynë nga urbanizimi. Kina tani po kalon përmes fazës së një urbanizimi masiv”.

Punëtorët nga fshatrat e varfëra të Kinës janë muskuli i kësaj rritjeje, por ata si shumë nga 1 presje tre miliardë njerëzit e Kinës, banojnë në skajin tjetër të klasës ekonomike të cilës i përkasin njerëz si Yang Huiyan. Gati 200 milionë kinezë kanë lënë shtëpitë e tyre në fshat për të punuar në ndërtim apo uzina në bregun lindor dhe jugor të vendit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se këta punëtorë paguhen shumë pak ose aspak. Paul Cavey, ekonomist për Kinën në kompaninë Macquarie Securities thotë se punëtorët që vijnë nga fshatrat vuajnë për shkak të ndryshimeve të shpejta politike dhe ekonomike që kanë mbështetur afaristët më shumë se klasën punëtore.

Një dekadë më parë, qeveria kineze ishte pronarja e të gjitha tokave dhe individët nuk mund të merrnin hua. Banorët e qytetit punonin në kompani shtetërore dhe jetonin pa qera. Në fundin e viteve 1990-të, qeveria privatizoi shtëpitë dhe filloi dhënien e kredive. Ajo privatizoi gjithashtu shumë nga ndërmarrjet shtetërore.

Robin Munro punon për buletinin e punës, një grup i të drejtave të punëtorëve në Hong Kong. Ai thotë se menaxherët e ndërmarrjeve shfrytëzuan refomat duke çuar qëllimisht në falimentimin e kompanive të tyre dhe më pas morrën hua bankare për të blerë kompanitë me një çmim të ulët.

“Ish menaxherët u bënë afaristë të mëdhenj privat me pasuri të mëdha në duart e tyre. Ata pushuan nga puna shumicën e fuqisë punëtore dhe i zëvendësuan ata me krah të lirë pune nga fshatrat”.

Të ardhurit shfrytëzohen lehtësisht dhe iu mohohen shërbimet sociale pasi nuk janë të regjistruar ligjërish në qytete. Shumë nuk regjistrohen pasi nuk kanë dokumenta. Të tjerë i tremben humbjes së tokës në fshat kështu që shkojnë e vijnë në vend që të vendosen në qytet.

Presidenti Hu dhe Kryeministi Wen Jiabao janë vlerësuar pasi pranojnë ekzistencën e mosbarazisë. Në fjalimin e tij në kongresin e 17 të partisë komuniste javën e kaluar zoti Hu parashtroi planet për të shpërndarë më mirë të ardhurat nga rritja ekonomike si dhe për të shpenzuar më shumë në programe sociale.(kh)

XS
SM
MD
LG