Lidhje

Të premten fillon fushata parazgjedhore në Kosovë


Subjektet politike në Kosovë kanë tri javë kohë që të shpalosin programet e tyre partiake për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale që do të mbahen më 17 nëntor. Në këto zgjedhje do të konkurojnë 96 subjekte politike në mesin e të cilave edhe disa parti të vogla serbe, por jo ato që përfaqësojnë shumicën e serbëve të Kosovës.

Zëdhënësi i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Osmani, thotë se ky mekanizëm ka hartuar disa rregulla që mundësojnë zhvillimin e fushatës zgjedhore. Ato saktësojnë periudhën e fushatës, datën e fillimit dhe mbarimit të saj, rregulla për mediat në mbulimin pa pagesë të aktiviteteve elektorale si dhe për kufizimin e shpenzimeve gjatë fushatës që një subjekt politik mund të përdorë për bërë të njohur programit e vet.

“Fushata zgjedhore fillon më 25 tetor, në orën 24:00. Janë partitë politike ato që janë përgatitur për fushatën zgjedhore, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret korrektësi, si dhe respektim të rregullave të hartuara nga ky komision nga subjektet politike”, tha zëdhënësi Osmani.

Shumica nga 96 subjektet politike kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës zotohen se do të respektojnë procesin e zgjedhjeve dhe nuk do të përdorin gjuhë apo veprime fyese që bien ndesh me kodin zgjedhor. Zëdhënësi Arianit Osmani thotë se, në rast se subjektet politike shkelin rregullat zgjedhore të hartuara nga Komisioni, atëherë ndaj subjekteve politike do të merren masa.

“Në rast se shkelet ndonjë rregull zgjedhore, subjektet e tjera politike mund të ankohen në Komisionin e Zgjedhjeve për ankesa dhe parashtresa. Ky është organ i pavarur i përbërë nga pesë gjykatës, dhe është kompetent për caktimin e sanksioneve përkatëse”, konfirmoi zoti Osmani.

Zgjedhjet në Kosovë, ato vendore dhe të përgjithshme, janë paraparë të mbahen më 17 nëntor. Vendimin për zgjedhjet dhe fillimin e fushatës e ka marrë kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker. Megjithatë, ai i ka rezervuar të drejtën që nëse zgjedhjet bien ndesh apo përdoren si arsye për shtyrjen e statusit, atëherë ato mund të shtyhen për më vonë. Me këtë qëndrim të shefit të UNMIK-ut, janë pajtuar edhe përfaqësuesit politik kosovar të cilët thonë se për ta prioritet është statusi përfundimtar i Kosovës.

XS
SM
MD
LG