Lidhje

Shfaqen paqartësi në lidhje me planin amerikan për mbrojtjen nga raketat


Planet e Shteteve të Bashkuara për të instaluar një sistem për mbrojtjen nga raketat në Evroprën Lindore, vazhdojnë të jenë një burim tensionesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Zyrtarët amerikanë thonë se sistemi për mbrojtjen nga raketat, që do të përbëhej nga deri në 10 interceptorë raketash në Poloni dhe një radar në Republikën Çeke, do të shërbente për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mundshme nga vende si Irani. Ata thonë se ai nuk ka si objektiv Rusinë.

Por zyrtarët rusë e kanë kritikuar ashpër sistemin e propozuar.

Michael Levi, një ekspert për kontrollin e armëve në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë se Moska kundërshton për dy arsye:

“Arsyeja e shprehur publikisht është se një sistem i mbrojtjes nga raketat mund të kërcënojë mbrojtjen bërthamore të Rusisë. Ky duket një pretendim pa bazë. Armët bërthamore të Rusisë mund t’i kundërpërgjigjen çdo sistemi që do të dislokonin Shtetet e Bashkuara. Shqetësimi më i madh që duket të kenë rusët është se dislokimi në Poloni dhe në Republikën Çeke është sinjal i thellimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-satelitëve të Bashkimit Sovjetik. Ky është në thelb shqetësimi rus”.

Të martën, gjatë një fjalimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Washington, Presidenti Bush përsëriti pikëpamjen e administratës së tij se një sistem për mbrojtjen nga raketat është i nevojshëm.

“Nevoja për mbrojtjen nga raketat në Evropë është reale dhe unë besoj se është urgjente. Irani po zhvillon teknologjinë që mund të përdoret për të prodhuar armë bërthamore dhe raketat balistike me një rreze të zgjeruar për t’i përdorur ato”.

Po atë ditë, në Pragë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates duket se përdori një ton më të zbutur, duke thënë se raketat amerikane mund të mos aktivizohen menjëherë pas dislokimit.

“Nuk e kemi përpunuar plotësisht këtë propozim. Por ideja ishte që ne të vazhdonim me negociatat, do t’i kompletonim ato, do të ndërtonim sistemin, por ndoshta ta shtynim aktivizimin e tyre deri në momentin kur rreziku nga Irani të ishte real”.

Ekspertët e çështjeve të kontrollit të armëve po diskutojnë nëse Presidenti Bush dhe Sekretari Gates kanë dërguar mesazhe të ndryshme nga njëri-tjetri.

Daryl Kimball, kreu i shoqatës së pavarur për Kontrollin e Armëve thotë se nuk ka mospërputhje mes qëndrimeve të tyre.

“Në pamje të parë mund të duket sikur ka një farë mospërputhjeje. Por ajo që po thonë Sekretari Gates dhe Presidenti Bush është se ata duan të vazhdojnë dhe të ndërtojnë sistemin me interceptorët në Poloni dhe me radarin në Republikën Çeke sipas afateve aktuale. Ajo që lë të kuptojë zoti Gates është se aktvizimi nuk do të bëhet menjëherë, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të bien dakord që rreziku nga Irani është urgjent. Të dy ata po thonë se duhet të vazhdojmë me ndërtimin, apo të fillojmë ndërtimin në periudhën 2009-2010, në mënyrë që ato të mbarojnë diku nga viti 2012 ose 2013”.

Por Michael Levi i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë thonë se deklaratat duken kontradiktore.

“Presidenti e paraqet urgjente nevojën për mbrojtjen nga raketat në Evropë. Bob Gates flet për shtyrjen e aktivizimit të sistemit deri në momentin kur të shihet materializimi i një prove të pakundërshtueshme për kërcënimin iranian. Duket se këto deklarata janë kundërthënëse. Nëse një kërcënim është urgjent, atëherë nuk bëhet fjalë për të pritur që ai të materializohet”.

Zoti Levi nuk beson se Presidenti Bush, apo Sekretari Gates, apo zëdhënësat e tyre do t’i sqarojnë deklaratat e tyre. Ai parashikon që ata thjesht të thonë se sistemi i mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore, është pjesë e diskutimeve me Rusinë.//kk//

XS
SM
MD
LG