Lidhje

Parlamenti ngre komisionin hetimor "Sollaku 2"


Parlamenti në Tiranë ngriti sot një komision të posacëm, i cili do të hetojë veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme, pas dyshimeve të një grupi deputetësh për zvarritje të hetimeve dhe pengim të luftës kundër kriminalitetit prej vetë organit të akuzës.

Komisioni hetimor parlamentar me 11 anëtarë - 6 nga maxhoranca dhe 5 nga opozita - mori 72 vota nga maxhoranca dhe 25 vota kundër nga opozita.

Gjatë gjithë seancës së sotme, deri në votimin e komisionit, deputetët zhvilluan një debat të gjatë dhe të ashpër pro dhe kundër Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, dhe mbi reformat në sistemin e drejtësisë.

Deputetët e maxhorancës iu përmbajtën qëndrimit se një komision i ri hetimor është mëse i nevojshëm, sepse shkalla e ndëshkimit të krimit në Shqipëri ka rënë falë pasivitetit të prokurorisë, e cila sipas tyre, nuk arreston disa kriminelë të rrezikshëm dhe liron nga akuza disa të tjerë. “Në gjashtë vjetët e qëndrimit të tij në atë post, ka patur vetëm një refren të përfaqësuesve ndërkombëtarë nga Brukseli, SHBA dhe vendeve të tjera partnere: Mungon vullneti për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Shqipëria duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin si parakusht për t’u integruar në BE. Nuk kish rëndësi se çfarë punësh bënte pushteti socialist; me shtrim rrugësh apo nisma të tjera. Refreni ishte i njëjtë: Luftoni krimin dhe korrupsionin, sepse mungon vullneti për t’i luftuar ato. Zoti Sollaku ka qenë prokuror i përgjithshëm me shumë kryeministra socialistë, me shumë ministra drejtësie dhe të punëve të brendshme. Çdo ndryshim i tyre ka qenë për të një mundësi për të filluar me një vullnet të ri. Por ai ka mbetur i njëjti person: rezultatet kanë qenë të njëjta; negative dhe dështim i plotë. Kur u ndërrua pushteti në 2005, puna në prokurori ka shkuar akoma më keq” - tha Aldo Bumçi, ish-ministër i drejtësisë, deputet i Partisë Demokratike.

Por deputetët e opozitës e mbrojtën Prokurorin e Përgjithshëm Sollaku, sepse, sipas tyre, ai po sulmohet politikisht nga maxhoranca parlamentare.

Deputetët e Partisë Socialiste pohuan se demokratët po përpiqen të marrin nën kontroll prokurorinë me metoda antikushtetuese. “Nëse vërtet do të ishte i interesuar për reformën në drejtësi, pra edhe për më shumë liri nga kapja politike për drejtësinë dhe prokurorinë, kryeministri Berisha nuk kishte arësye se përse t'i kthehej shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm. Reforma do të zgjidhte edhe problemin e mandatit të tij. Partitë politike ranë dakord në një zgjidhje kompromisi për këtë fakt, duke konsideruar se reforma në drejtësi duhej parë si një angazhim i gjithë politikës për të rregulluar ligjërisht funksionimin e saj. Por gjithë ky proces i keqmontuar politikisht dhe legalisht tregon qartë se shumica parlamentare dhe kreu i saj, më shumë se sa ndryshimin e sistemit të drejtësisë kërkon kontrollin politik të tij. E gjithë kjo furtunë e ngritur me qëllime dhe mjete të vjetra nga maxhoranca është në kundërshtim të plotë me angazhimet politike që kemi marrë bashkarishrt për reforma në drejtësi” - tha Fatmir Xhafa, ish-ministër i drejtësisë, deputet i Partisë Socialiste. Largimi apo jo nga detyra i prokurorit të përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ka mbizotëruar dy vjetët e fundit në debatet e qarqeve të politikës qysh me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike.

Parlamenti me shumicë demokrate votoi edhe më parë një propozim drejtuar presidentit për shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku për shkelje të rënda ligjore në detyrë, por ish-presidenti Alfred Moisiu nuk e miratoi atë.

Propozimi për një komision të ri hetimor ndaj prokurorisë erdhi në të njëjtën kohë me nismën e presidentit të ri Bamir Topi për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, i kritikuar mësë shumti për korrupsion dhe paaftësi. Opozita thotë se njëjtësimi i reformës në drejtësi me shkarkimin e zotit Sollaku po e vështirëson përfshirjen e saj në të dyja këto komisione. //rd//

XS
SM
MD
LG