Lidhje

Ministri i Jashtëm slloven beson se Kosova do të veprojë në mënyrë unike


Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel tha sot në Prishtinë se Treshja Ndërmjetësuese e grupit të kontaktit po synon të gjejë një zgjidhje për statusin e Kosovës por ai shtoi se propozimi i ish-kryendërmjetësit Martti Ahtisaari, për statusin përfundimtar ende është në tavolinën e bisedave për të ardhmen e Kosovës. “Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka hequr dorë nga propozimi i ish krye negociatorit Martti Ahtisaari”, tha diplomati slloven.

Ai shtoi se uniteti brenda Bashkimit Evropian, nuk duhet të jetë çështje problematike. “Natyrisht kemi mosmarrëveshje ndërmjet 27 vendeve mirëpo, ne po bëjmë përpjekje që të largojmë këto mospajtime dhe besoj se sa i përket shqetësimit për çështjen e Kosovës ne do të vijmë në një pikë ku do të veprojmë në mënyrë unike”, tha Dimitrij Rupel.

Edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se dokumenti bazë në zgjidhjen e të ardhmes së vendit mbetet propozimi i zotit Ahtisaari. Ai tha se treshja e Grupit të Kontaktit nuk ka mandat të imponojë zgjidhje për statusin e Kosovës. “Dokumenti i trojkës është një përpjekje për të nxjerr konkluzione nga prezantimet që kemi pas edhe eventualisht pika që mund të jenë të përputhshme për të ardhmen e përbashkët të gjithë qytetarëve. Prandaj pakoja e Ahtisaarit është.”.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ndërkaq vlerësoi lartë rolin e shtetit slloven për Kosovën si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian. “Roli i Sllovenisë është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh faktin që ajo do ta udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ministri Rupel vizitën e tij në Prishtinë e ka parë si përgatitje për rolin e ardhshëm të Sllovenisë si kryesuese e presidencës së BE-se”, tha kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker. Ministri i Jashtëm Slloven, u zotua se çështja e Kosovës do të jetë në krye të agjendës së shtetit të tij kur ai të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian. //rd//

XS
SM
MD
LG