Lidhje

Putin propozon një institut vëzhgues Rusi-BE për të drejtat e njeriut


Presidenti rus Vladimir Putin propozoi krijimin e një instituti të përbashkët midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian, për të vëzhguar të drejtat e njeriut në Evropë.

Udhëheqësi rus e bëri të ditur propozimin e tij në takimin e nivelit të lartë midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian, që u zhvillua në qytetin Mafra, pranë Lisbonës në Portugali. Qeveritë evropiane dhe grupet e të drejtave të njeriut, e kanë akuzuar shpesh qeverinë e zotit Putin për përpjekje për ngushtim të demokracisë, kufizim të lirisë së shtypit dhe përdorim force mizore kundër separatistëve në veri të Kaukazit.

Ndër çështjet e tjera, Presidenti i Komisionit Evropian Zhose Manuel Barrozo, shprehu besim se Rusia do të anëtarësohet së shpejti në Organizatën Botërore të Tregëtisë.

Zoti Putin po ashtu shprehu shpresë për një marrëveshje të shpejtë mbi traktatin e partneritetit të ri Rusi-BE. Bisedimet janë bllokuar nga Polonia në përgjigje të ndalimit nga Rusia të importeve të mishit polak.

Në takimin e Portugalisë u diskutua edhe për çështjen e statusit të Kosovës dhe programin bërthamor të Iranit. //iç//

XS
SM
MD
LG