Lidhje

Ndikimi i kandidatëve të partive të treta në procesin zgjedhor për Shtëpinë e Bardhë


Në Shtetet e Bashkuara, përveç Partisë Demokrate dhe asaj Republikane prej vitesh në zgjedhjet presidenciale kanë konkuruar edhe kandidatë të partive të tjera. Por këta kandidatë nuk kanë fituar asnjë herë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Jeffrey Young i Zërit të Amerikës shpjegon se si këta kandidatë të partive të treta, siç njihen ata në procesin zgjedhor, kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve:

Në vitin 1992 kandidati demokrat Bill Klinton mundi presidentin e atëhershëm George Bush, të atin e Presidentit aktual, i cili konkuronte për një mandat të dytë. Diferenca ishte afro 6 milionë vota. Por kandidati i një partie të tretë, Ros Perot mori afro 20 milionë vota. Shumë analistë politikë thonë se votat që mori zoti Perot pa diskutim ndikuan tek gara ndërmjet zotit Bush dhe zotit Klinton.

Shtetet e Bashkuara kanë dy parti kryesore politike, demokraten dhe republikanen. Por ekzistojnë edhe parti të tjera si Partia e Gjelbër, Partia Libertariane, Partia Socialiste. Këto dhe parti të tjera asnjëherë nuk kanë arritur të marrin Shtëpinë e Bardhë si rezultat i strukturës së Kolegjit Elektoral, i cili zgjedh presidentin.

Benjamin Ginsberg është pedagog në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington: "Universiteti Xhons Hopkins Faktikisht nuk kemi zgjedhje kombëtare. Ne zhvillojmë në të njëjtën ditë 50 votime të ndryshme në bazë shtetesh. Nga secili shtet Kolegji Elektoral merr një numër të caktuar votash që zakonisht i shkojnë kandidatit që mori numrin më të madh të votave në atë shtet".

Ralph Nader konkuroi si kandidat i Partisë së Gjelbër në vitin 1996 dhe 2000 dhe në vitin 2004 konkuroi si i pavarur. Ai thotë se problemi për partitë e treta nuk qëndron vetëm tek Kolegji Elektoral: "Sistemi nuk nxit përfaqësimin e këtyre partive, pasi nuk bazohet tek përfaqësimi proporcional dhe nuk kalon më pas në balotazh. Pra nuk nxitet konkurenca e shumë partive".

Megjithëse kandidatët e partive të treta mund të mos fitojnë, ata akuzohen si plang-prishës. Pikërisht këtë cilësim i kanë dhënë disa analistë kandidaturës së Ralf Nejdërit në vitin 2000. Resultati i këtyre zgjedhjeve u var në fund nga numërimi i votave në shtetin juglindor të Floridës.

Republikani Xhorxh Bush fitoi zgjedhjet në këtë shtet me një diferencë prej 537 votash ndaj rivalit të tij demokrat Al Gor. Fitorja për zotin Bush në Florida i dha atij fitoren e Shtëpisë së Bardhë në Kolegjin Elektoral, megjithëse zoti Gor kishte marrë një numër më të madh votash në shkallë kombëtare.

Zoti Nejdër mori mbi 97 mijë vota në Florida duke ndezur debatin se kush do të kishte fituar në këtë shtet sikur ai të mos kishte konkuruar. Disa vëzhgues politikë thonë se ka një tjetër arsye përse partitë e treta nuk fitojnë në zgjedhjet presidenciale dhe nuk marrin as vende në Kongres në zgjedhjet legjislative.

Kandis Nelson është pedagoge në Universitetin Amerikan në Uashington: "Nëse çështjet që ata ngrenë janë të rëndësishme për publikun amerikan, ato bëhen pjesë e platformës së partive kryesore, prandaj edhe partitë e treta nuk kanë shumë peshë". //rd//

XS
SM
MD
LG