Lidhje

Nishani: Vizita në SHBA, vlerësim pozitiv i luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri

  • Laura Konda

Zëri i Amerikës: Zoti Nishani, ju falënderoj për ardhjen në studjon tonë. Ju këto ditë keni patur një program intensiv, ku jeni takuar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, FBI-së, në Departamentin e Drejtësisë dhe një sërë institucionesh të tjera amerikane. Cilat do të veçonit si disa nga fushat e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për zbatimin e ligjit?

Bujar Nishani: Kam kënaqësinë të konfirmoj që pata një vizitë jashtëzakonisht të mirë, të sukseseshme ku mbi të gjitha, mora një impakt pozitiv, të vlerësimit të institucioneve të administratës amerikane ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, për luftën ndaj krimit të organizuar, për luftën ndaj trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore, njëkohësisht të konfirmimit të vazhdimit të asistencës dhe të bashkëpunimit të mëtejshëm, që është thelbësor dhe esencial për institucionet e Minsitrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, të isntitucioneve të tjera me këto institucione të shtetit amerikan. Ashtu siç theksuat edhe juve, pata disa takime të shkëlqyera me disa nga drejtuesit më të lartë të FBI-it, Byrosë Federale të Hetimeve, ku u përcaktua qartë vazhdimi i punës së përbashkët, të caktuar tashmë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis policisë shqiptare dhe FBI-së, për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar; një takim jashtëzakonisht miqësor dhe vlerësues patëm në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, me asistent-sekretaren, e cila vlerësoi në maksimum përpjekjet e qeverisë më pas, në Departamentin e Shtetit, ku u takova me Ndihmëssekretarin për Çështjet e Luftës Kundër Krimit dhe Narkotikëve, me stafin e tij, dhe po ashtu, një takim shumë miqësor, të veçantë dhe vlerësues me zonjën Di Karlo. Pata takime në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët më të lartë të administratës së Presidentit Bush, dhe sot, një takim shumë të mirë me Zëvendësprokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Kjo vizitë, i shërbeu, pa dyshim, vlerësimeve, shkëmbimit të pikëpamjeve, njohjes me situatën në Shqipëri, për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve, të goditjes ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, efiçencës së madhe që ka dhënë asistenca e ofruar nga misione të rëndësishme të administratës amerikane, që ndihmojnë Ministrinë e Brendshme, policinë e shtetit, qoftë në aspektin e legjislacionit, po ashtu të strukturave, apo edhe të veprimeve të mëtejshme të policisë në terren, mbi kontrollin e kufirit, dhe çështje të tjera të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar janë disa nga objektet e punës suaj. Sa shqetësuese janë për Shqipërinë trafiqet e paligjshme dhe krimi në ekonomi, siç është investimit ne ekonomi, i parave të nxjerra nga trafiqet apo aktivitetet e tjera te paligjshme, pastrami i parave?

Bujar Nishani: Pa dyshim, qoftë lufta kundër krimit të organizuar, qoftë lufta kundër trafiqeve të qenieve njerëzore apo të parave të pandershme, apo të pista, mbeten sfida të një shoqërie në zhvillim. Ndaj, ne jemi përqëndruar kryesisht në angazhimin tonë, jo vetëm duke përmirësuar më tej legjislacionin, jo vetëm duke përsosur më tej strukturat, jo vetëm duke angazhuar në këtë betejë resurset tona më të mira dhe më të trajnuara, por duke patur në prioritet, sipas filozofisë së kësaj qeverie të tolerancës dhe ndaj të gjitha këtyre aktiviteteve të paligjshme. Rastet dhe statistikat gjatë këtyre dy viteve, tregojnë që ka një efektshmëri shumë të madhe të kësaj, lufte të këtyre institucioneve dhe ndaj këtyre fenomeneve. Pa dyshim, që me këtë vëmendje do të mbeten; ne nuk do të kemi asnjë lloj tolerance ndaj aplikimit të këtyre fenomeneve nga grupe të caktuara, nga individë të caktuar, pasi e gjithë kjo përpjekje i shkon në shërbim vetëm konsolidimit të këtyre insitutcioneve të shtetit shqiptar, konsolidimit të funksionimit të shtetit të së drejtës, të shtetit ligjor, pra të demokracisë në Shqipëri, i shkon në një farë mënyre stabilitetit në rajon.

Zëri i Amerikës: Të ndalojmë pak tek çështja e korrupsionit në radhët e policisë. A vazhdon të mbetet problem shqetësues ky fenomen, dhe çfarë masash ka marrë qeveria për eliminimin e tij?

Bujar Nishani: Unë do të konstatoja me shumë kënaqësi, që korrupsioni në radhët e policisë nuk është një fenomen më. Ka raste të veçuara, ka raste sporadike, por nuk është një fenomen dhe më vjen mirë që kemi mbërritur në këtë pikë, dhe kjo ka ardhur për shkak të një lufte të madhe që është bërë i vetë për pastrimit të radhëve të policisë nga policët e inkriminuar. Ka patur raste kur janë arrestuar punonjës të policisë, të përfshirë në grupet e trafiqeve dhe mbi të gjitha, këtë e verifikon rritja e madhe e besueshmërisë së publikut ndaj forcave të policisë. Pra, sot, ne se kemi në Shqipëri, një nga insitucionet, ku vërtet publiku ka arritur besueshmërinë e tij, është pikërisht policia e shtetit. Por kjo, falë angazhimit, por edhe pastrimit të këtyre elementëve të korruptuar.

Zëri i Amerikës: Disa javë më parë, pas një aksioni të policisë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, disa të rinj të këtij fshati kryen një sulm ndaj komisariatit të policisë. Tradicionalisht, Lazarati njihet si një fshat që ka përkrahur Partinë Demokratike, por në të njëjtën kohë, njihet si një fshat, ku kultivohen bimë të paligjshme, si hahashi. Si është ndjekur kjo çështje? Duket sikur është në harresë gjatë gjithë kësaj periudhe...

Bujar Nishani: Në fakt, nga disa segmente të veçuara në Shqipëri, ka pasur një tendencë për të spekuluar shumë me këtë çështje dhe për ta hiperbolizuar në fakt atë ngjarje që ndodhi. Në fakt, nuk ka pasur asnjë sulm të organizuar, apo sulm të drejtëpërdrejt mbi komisariatin e policisë. Dikush në mënyrë jozyrtare tha që është sulmuar dhe djegur posta e policisë në Lazarat kur unë mund të konfirmojë që në Lazarat nuk ka patur kurrë dhe nuk ka postë policie. Po kështu, në komisariatin e policisë në Gjirokastër ka pasur një reagim antiligjor, të dhunshëm të disa djemve të rinj të afërm të një viktime, që ndodhi për shkak të përplasjes së tij me forcat e policisë, të cilët qëlluan me gurë objekte jashtë territorit të komisariatit dhe në asnjë rast nuk tentuan të hyjnë në territorin e komisariatit. Por unë ju siguroj, që edhe në këtë rast, përsa kohë që kanë qënë veprime antiligjore, të papranueshme, janë duke u kryer hetime në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit të Gjirokastrës, në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe shumë shpejt të gjithë ata që kanë kryer veprime të tilla të dhunshme do të vihen përpara drejtësisë. Për këtë ju garantoj pavarësisht etiketimeve që mund të bëhen për shkaqe politike apo për shkaqe të luftës dhe konkurrencës politike në Shqipëri, asgjë e tillë nuk do të ndikojë në ecurinë e filozofisë së shtetit ligjor.

Zëri i Amerikës: Në muajin gusht qeveria shpalli tenderin për kartat e identitetit. Ndërkohë opozita edhe sot ka ngritur çështjen se ky proces po vonohet. A mund të na saktësoni si po vazhdon procesi i kartave të identitetit. A do t’i kenë ato shqiptarët para zgjedhjeve të ardhshme?

Bujar Nishani: Mua më vjen keq që opozita, apo individë brenda opozitës janë të pa informuar mirë dhe ky nuk është faji ynë. Ne kemi qënë gjithmonë të gatshëm për të dhënë informacione dhe besoj që opozita do të bëhet shumë herë më e mirë dhe gjithnjë e më korrekte dhe më e fuqishme, në se njihet me informacione zyrtare, që kurrë nuk kanë munguar. Por unë mund t’u konfirmoj juve dhe opinionit publik, që tenderi është pothuajse gati për t’u shpallur, tenderi ndërkombëtar, pasi ka qënë një proces shumë i rëndësishëm i hartimit të specifikimeve teknike dhe kjo është arritur nëpërmjet asistencës të kompanive shumë të fuqishme ndërkombëtare dhe me eksperiencë të madhe në këtë fushë, duke përfshirë të gjitha standartet e ICAO-s në këto dokumenta, që do të nisin së shpejti prodhimi në Shqipëri. Së dyti, ne zbatojmë në çdo hap procedurat ligjore, ligjin e prokurimeve apo ligjin e konçesioneve, pasi ky është një shërbim që është qeveria shqiptare ka vendosur për ta dhënë me konçesion. Tashmë grupet e punës për hartimin e dokumentacioneve kanë përfunduar punën. Natyrisht, që materiali duhej përkthyer përsa kohë kemi një tender ndërkombëtar, janë hartuar dhe janë të gatshme të gjitha procedurat që ligji parashikon për shpalljen e tenderit, për dhënien me konçesion të këtij shërbimi dhe unë kam siguruar për disa herë dhe kjo ka qënë një siguri serioze, e mbështetur jo vetëm në deklarata, por e mbështetur mbi një projekt konkret dhe fazat dhe etapat konkrete që brenda vitit 2008 shqiptarët do të kenë kartat e identitetit me çip elektronik, do të kenë pashaportat biometrike, të cilat do ta rrisin shumë herë më lart nivelin e kryerjes së shërbimeve për qytetarët shqiptarë në jetën e tyre të përditshme në Shqipëri, por dhe sigurinë e tyre dhe respektin ndaj tyre gjatë udhëtimeve jashtë Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG