Lidhje

A ndikon ndryshimi i popullsisë në marrëdhëniet transatlantike?


Prirjet e popullsisë luajnë një rol qenësor në mirëqenien e vendeve dhe ekonomive të tyre. Nga ana demografike, aleatët historikë, Europa dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë në pozita shumë të ndryshme pas 20 vjetësh. Gjatë 20 vjetëve të ardhshëm, popullsia europiane pritet të plaket dukshëm dhe të fillojë të zvogëlohet. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, kanë të ngjarë të shohin një rritje të popullsisë për të gjitha grupet e moshave. Po, a do të ndikojë ky ndryshim popullsie tek marrëdhëniet transatlantike dhe si? Ekspertët në një konferencë të zhvilluar kohët e fundit në Uashington diskutuan pasojat e mundshme të kësaj ndarjeje demografike në rritje.

Me një mesatrere prej 2,09 fëmijësh për çdo grua dhe një fluks të qendrueshëm imigrantësh, Shtetet e Bashkuara kanë rritjen më të madhe të popullsisë mes vendeve të zhvilluara. Duke u rritur me 1,3 përqind çdo vit, popullsia amerikane është trefishuar gjatë shekullit të 20-të. Ndërkohë, popullsia e shumicës së vendeve europiane po zvogëlohet dhe plaket çdo ditë. Shtimi i përqindjes së banorëve në moshën e pensionit nuk kompensohet dot nga shtimi i grupmoshës prodhuese.

Popullsia e re europiane, e cila tani përbën 16,9 përqind, është zvogëluar me 25 përqind gjatë 25 viteve të fundit dhe pritet të vazhdojë rënien. Ndryshe nga kjo, 27,5 përqind a popullsisë së Shteteve të Bashkuara është nën moshën 19 vjeç. Pavarësisht nga një rritje e parashikuar në moshën mesatare në Shtetet e Bashkuara, numri i të rinjve të aftë për shërbim ushtarak dhe punë produktive pritet të mbetet i qëndrueshëm. Demografi amerikan Nicholas Eberstadt thotë: “Parashikimi është që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kenë një rritje të moderuar popullsie ndërsa Europa Perëndimore do të shkojë drejt stabilitetit dhe pastaj rënies së popullsisë. Pak vite para se të fillojë rënia e popullsisë, Europa do të bëhet një vend ku numri i vdekjeve e kalon atë të lindjeve. Kjo mund të ndodhë pas 4-5 vjetësh.” Zoti Eberstadt thotë se mendimet dhe vlerat e grupmoshës së re amerikane krahasuar me moshën e vjetëruar të Evropës mund të çojnë në tendosjen e marrëdhënieve transatlantike.

Zoti Eberstadt spekullon se një Europë me moshë më të vjetër mund të fillojë të tregohet më e kujdesshme rreth bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Ai vë në dukje se partneriteti mes një Amerike të fuqishme nga ana demografike dhe një Europe të palëvizshme mund t’i humbë vlerat. Ekspertët thonë se një popullsi që po vjetërohet është zakonisht më pak produktive dhe më pak novatore sesa një popullsi me moshë të re. Sipas Zotit Eberhardt, ndryshimi mes demografive mund të ndikojë negativisht tek marrëdhëniet e forta ekonomike transatlantike.

Por Barbara Torrey në Zyrën e Referencës së Popullsisë vë në dukje se përparimet në kujdesin shëndetsor bëjnë të mundur që njerëzit të jetojnë më gjatë dhe jetë më të shëndetshme. Përmirësimet mjekësore i kanë ndryshuar sjelljet shoqërore tradicionale, dhe e kanë bërë moshën një faktor më pak të rëndësishëm se ndonjëherë tjetër. “Fakti është se askush në Europë dhe as në Shtetet e Bashkuara nuk sillet sipas moshës së tyre. Pra, shtrohet pyetja: sa e rëndësishme është struktura e moshës? Në Itali, dy të tretat e burrave mes moshës 25-30 jetojnë ende me mamatë e tyre. Kjo tregon se mosha 30-vjeçare nuk është më pikë referimi aq domethënëse sa ç’ishte para tre dekadash.” Torrey thotë se ekonomia ndikon më shumë sesa prirjet e popullsisë tek produktiviteti, mendimet dhe qendrueshmëria sociale. “Demografia nuk është destinacion. Ajo lëviz ngadalë. Demografia mund të tejkalohet nga gjëra të tjera që lëvizin shumë më shpejt. Tregjet financiare përmbysin çdo gjë që bën demografia.” Për sa u përket çështjeve të sigurisë, Torrey vë në dukje se ushtritë kombëtare mund të shohet nga një forcë e huaj mercenarësh.

Ekspertët në përgjithësi janë dakort që vendet europiane do të mbështeten gjithnjë e më shumë tek imigrantët për të plotësuar mungesat e tregjeve të tyre të punës. Pardje, Bashkimi Europian bëri të ditur planet për tërheqjen e 20 milionë imigrantëve duke lehtësuar kërkesat për marrjen e vizave të punës nëpërmjet një procesi të shpejtuar të ashtëquajtur kartat blu. //rd//

XS
SM
MD
LG