Lidhje

Shqipëri: Acarohen marrëdhëniet mes Presidentit Topi dhe opozitës


Në Shqipëri marrëdhëniet mes Presidentit Bamir Topi dhe opozitës po vijnë duke u acaruar. Socialistët reaguan sot ndaj deklaratave të djeshme të Presidentit Topi lidhur me akuzat që ngriti ndaj tij deputeti Ben Blushi për blerje të votave që e zgjodhën atë në krye të shtetit.

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj tha se ishte skandalizuar nga reagimi i presidentit duke shtuar se uronte që ai të ishte vetëm një lapsus i rëndë që nuk duhet të përsëritej më në asnjë rrethanë.

Presidenti Topi deklaroi dje se nëse do të kishte akuza dhe shpifje ndaj tij atëherë çdokush që cënon autoritetin dhe figurën e institucionit të Presidentit duhet të përballet me drejtësinë.

Por sipas zonjës Leskaj, Presidenti nuk mund të mbulojë me reagime jo etike e as duke kërcënuar me procese gjyqësore të vërtetën e zgjedhjes së tij. Ai - vazhdoi zonja Leskaj duke ripërsëritur akuzat - nuk u zgjodh përmes konsensusit por përmes korrupsionit dhe i takon të provojë se nuk do t'i shërbejë politikës së korrupsionit.

Por sot demokratët, dolën në mbrojtje të hapur të presidentit Bamir Topi, ish drejtues i lartë i tyre. Ata i konsideruan të ulta dhe si të papërgjegjshme akuzat e ngritura nga opozita. //rd//

XS
SM
MD
LG