Lidhje

Kosovë: Shqetesime per mungesën e energjisë elektrike


Qytetarët e Kosovës gjatë javës që po lëmë pas janë përballur me shkurtime të gjata të furnizimit me energji elektrike. Këto shkurtime, sipas ministrit të energjisë Et'hem Çeku, ishin pasojë e punëve për rehabilitimin e blloqeve të termocentralit Kosova B. Ministri Çeku shpreson se pas riparimeve të bëra, gjatë muajve të dimrit do të ketë furnizim më të mirë me energjisë elektrike

Nehat Spahiu, banor i Prishtinës, është i bindur se faji për gjendjen jo të mirë të furnizimit me energji elektrike u takon edhe drejtuesve të Korporatës Energjetike por edhe qytetarëve që nuk paguajnë energjinë e shpenzuar. Por, atë nuk e lë shpresa se dimri do të jetë më lehtë i përballueshëm, me gjithë vështirësitë me të cilat po përballet Kosova që nga përfundimi i luftës. “Të gjitha ato investime që janë bërë në KEK, aty ka pasur edhe keqpërdorime edhe keq menaxhim të mjeteve, por është edhe problemi i mospagesës së qytetarëve”. thotë zoti Spahiu.

Edhe për Ali Lalën, nga qyteti i Gjakovës, borxhet që qytetarët e Kosovës kanë ndaj Korporatës Elektro-Energjetike paraqesin njërin nga faktorët kryesorë të shkurtimeve të furnizimit me energji elektrike. ‘Qeveria nuk ka buxhet të mjaftueshëm për blerjen e energjisë elektrike, meqë edhe qytetarët, rreth 70 përqind të tyre nuk janë duke e paguar rrymën”, thotë Ali Lala nga Gjakova.

Java që lamë pas nuk ishte e lehtë, dhe qytetarët janë përballur disa ditë me shkurtime të gjata. Këto shkurtime, sipas Ministrit të Energjisë Et’hem Çeku, ishin pasojë e punëve për rehabilitimin e blloqeve të termocentralit Kosova B, që është edhe burimi kryesor i energjisë elektrike. “Pas punëve që kanë bërë punëtorët në KEK, nevojiten së paku një javë që blloqet të sinkronizohen dhe të hyjnë në prodhim me kapacitete të plota. Pra, nevojiten disa ditë që të arrihet fuqia maksimale e prodhimit. Në të njëjtën kohë, nuk bëmë blerje të energjisë sepse deshëm që ta ruajmë buxhetin e Kosovës. Kjo ishte arsyeja që nuk patëm një furnizim të rregullt me energji elektrike”, deklaron Ministri i Energjisë, Et’hem Çeku.

Sipas ministrit Çeku, dy blloqet e riparuara rishtas prodhojnë afër 600 megavat orë energji elektrike, ndërsa Kosova ka nevojë për rreth 900 megavat gjatë periudhës së dimrit.

Ministri Çeku shpreson se gjatë muajve të dimrit do të ketë furnizim më të mirë me energjisë elektrike, duke llogaritur deri diku edhe në importimin e saj, i cili sipas tij është shumë i vështirësuar për shkak se autoritetet serbe nuk lejojnë që energjia e blerë të kalojë nëpërmjet territorit të Serbisë. Me dy termocentrale të vjetruara Kosova vazhdon të përballet me vështirësi.

Nisur nga rezervat e mëdha të qymyrit linjit, autoritetet kanë projektuar ndërtimin e një termocentrali të ri me forcë prodhuese deri në 2 mijë megavat orë energji elektrike. Ky projekt i cili kushton rreth 3,5 miliardë euro, pritet të fillojë të jetësohet vitin e ardhshëm.

Deri tash, katër konsorciume në të cilat mbizotërojnë kompanitë amerikane kanë shprehur interesimin për të investuar në këtë projekt që sipas ministrit Çeku, do ta ndryshojë rrënjësisht gjendjen në Kosovë. “Kosova jo vetëm që do të ketë një prodhues të mirë të energjisë elektrike por do ta mbulojmë konsumin e brendshëm dhe do të prodhojmë energji me çmime të lira për konsumatorët dhe do të kemi përfitime të mëdha buxhetore. Ky është një plan operativ afatgjatë. Ndërsa, një plan tjetër afatshkurtër është të rehabilitojmë edhe disa njësi të Kosovës A, dhe të sigurojmë thëngjill. Ne presim se në muajt e ardhëm Kosova të ketë një gjendje të qëndrueshme me furnizim me energji elektrike për qytetarët të cilët e paguajnë energjinë elektrike, ndërkohë për ata qytetarë të cilët nuk janë të gatshëm t’i kryejnë obligimet e tyre, atëherë për ta do të ketë edhe sanksione dhe nuk do të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike”, thotë ministri Çeku.

Deri në përfundim të projekteve të mëdha, Kosova duket se do të vazhdojë të përballet me mungesë të energjisë së mjaftueshme elektrike e cila vlerësohet si një nga faktorët më të rëndësishëm edhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Hulumtimet e deritashme e kanë energjinë elektrike si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve menjëherë pas çështjes së statusit të pazgjidhur politikë të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG