Lidhje

Irak: 27 të vrarë dhe 20 të plagosur nga një sulm vetëvrasës


Zyrtarët irakianë thonë se një sulm vetëvrasës me bombë, këtë herë me biçikletë, shkaktoi të paktën 27 të vrarë në një bazë policore në Bakuba, në veri të Bagdadit.

Sulmi u krye sot në mëngjes, ndërsa rekrutë të policisë ishin mbledhur për t’u stërvitur. 20 persona të tjerë u plagosën.

Bakuba është kryeqyteti i provincës Dixhala, ku anëtarë të fiseve arabe suni dhe të forcave militante, i janë bashkuar gjatë muajve të fundit, forcave amerikane dhe atyre irakiane, në luftimet kundër Al Kaidës.

Ndërkaq, Ministria irakiane e Mbrojtjes thotë se një grup sheikësh nga Dixhala, që u rrëmbyen të djelën në Bagdad, janë liruar. Zëdhënësi i kësaj ministrie, gjeneral-majori Mohammed al-Askari nuk dha hollësi të tjera. Sheikët u rrëmbyen pas takimit me një zyrtar të qeverisë.

Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane u kaloi përgjegjësitë e sigurisë autoriteteve irakiane në provincën kryesisht shiite të Karbalës. Kjo është e 8-ta mes 18 provincave irakiane, ku kontrollin e sigurisë e marrin forcat irakiane. (ze)

XS
SM
MD
LG