Lidhje

Zyrtarët boshnjakë dënojnë përpjekjet për ta lidhur fatin e Kosovës me atë të vendit të tyre


Disa mijëra serbë të Bosnjës u mblodhën në qytetin e Banja Llukës për të protestuar kundër përpjekjeve të ndërmjetësit ndërkombëtar për të rritur efikasitetin e institucioneve qendrore të Bosnjë Hercegovinës. Demonstruesit e akuzojnë zyrtarin Miroslav Lajcak se po përpiqet të minojë Republikën Serbe të Bosnjës. Zoti Lajcak kishte sugjeruar se rregullat e reja do t’i jepnin më shumë pushtet qeverisë qendrore të Bosnjës për të miratuar reformat.

Ai sugjeroi ndryshimin e llogaritjes së shumicës së duhur për të miratuar ligjet në seanca duke numëruar ligjvënësit që marrin pjesë, pa i përfshirë ato që nuk paraqiten. Politikanët që donin të bllokonin votime apo vendime të ndryshme e kishin përdorur vazhdimisht këtë mjet duke iu shmangur seancave legjilative, dhe duke mos krijuar mundësinë e shumicës së nevojshme. Kryeministri serb i Bosnjës Milorad Dodik i ishte përgjigjur ndryshimeve, duke kërcënuar të tërheqë përfaqësuesit serbë nga qeveria qendrore e vendit në shenjë proteste ndaj këtyre masave.

Javën e kaluar, zyrtari më i lartë ndërkombëtar i Bosnjës, Miroslav Lajcak propozoi një sërë masash për të parandaluar çdonjërën nga dy entitetet autonome të bllokojnë punën e parlamentit të përbashkët boshniak dhe institucioneve të tjera.

Kryeministri serb, Vojislav Koshtunica, dhe pasuesit e tij nacionalistë kanë filluar një fushatë kundër zotit Lajcak, duke e akuzuar atë se po përpiqet të shpërbëjë shtetin e vogël serb të krijuar në bazë të marrëveshjes së paqes të vitit 1995. Bosnja u nda në dy entitete, duke i dhënë fund luftës 3-vjeçare mes myslimanëve, serbëve dhe kroatëve të vendit.

Serbët, që nuk pranojnë që shteti i tyre i vogël të bashkohet me federatën myslimano-kroate, i kanë bllokuar në të kaluar të gjitha ligjet me të cilat nuk janë dakort, thjesht duke mos marrë pjesë në seancat e institucioneve të përbashkëta në Bosnjë.

Reformat e zotit Lajcak do të ndryshonin mënyrën e llogaritjes së shumicës së duhur për miratimin e ligjeve duke numëruar vetëm ministrat dhe ligjvënësit që marrin pjesë, në vend të atyre që nuk marrin pjesë.

Propozimi, i cili gëzon mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, e ka zemëruar popullatën serbe. Presidenti serb Boris Tadic i bëri thirrje publikisht të shtunën zotit Lajcak të rimerrte në kosideratë propozimin e tij. Ndërkohë, qindra serbë të Bosnjës nënshkruan një ankesë në Pale duke kërkuar që qeveria të organizojë një referendum në Republikën Serbe për pavarësi nga Bosnia.

Parlamentet lokale në entitetin serb të Bosnjës zhvilluan seanca emergjente. Në një nga këto seanca, Predrag Blagojevic iu drejtua anëtarëve të parlamentit dje me këto fjalë:

“Mendoj se është koha për të vepruar. Këto janë deklarata për luftë që vijnë nga Sarajeva.”

Pasuesit e ish presidentit Slobodan Milosevic kanë shkuar edhe më tej, duke thënë se nëse Kosova bëhet e pavarur, atëherë Serbia duhet të njohë Republikën Serbe të Bosnjës, e cila përbën gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët. Ish ushtarët serbë e kanë ngritur zërin më shumë se të tjerët për ndarjen nga Bosnia.

Bogdan Vukadin, ish komandati serb nga qyteti lindor Gorazde i Bosnjës ka kaluar katër vjet në ushtrinë serbe dhe ka luftuar në të gjitha frontet e Bosnjës. Zotin Vukadin e shqetësojnë ngjarjet e fundit.

“Për çfarë kemi luftuar ne?” pyet ai. Ai akuzon administratorët e Bashkimit Europian se “duan të shpërndajnë policinë, të ndryshojnë kushtetutën dhe kjo do të thotë që Republika Serbe e Bosnjës të mos ekzistojmë më.”

Çdo përpjekje e Beogradit për pavarësinë e serbëve të Bosnjës do të shkaktonte konflikte të reja të përgjakshme në Bosnjë, ku rreth 100 mijë vetë u vranë dhe miliona u dëbuan gjatë luftës në periudhën 1992-1995.

Ultranacionalistët serbë kanë thënë se nëse shqiptarët e Kosovës deklarojnë pavarësinë, siç pritet në dhjetor, Serbia do të duhet t’i shkëpusë lidhjet diplomatike me perëndimin dhe të vendosë bllokadë ekonomike ndaj Kosovës.

Fati i Kosovës po negociohet tani me ndërmjetësinë e komunitetit ndërkombëtar. Kryeministri serb ka thënë se ruajtja e Kosovës dhe shtetit serb të Bosnjës janë përparësitë e Serbisë.

Zyrtarët e Bosnjës i kanë dënuar përpjekjet e tij për ta lidhur fatin e Kosovës me atë të vendit të tyre. Megjithatë, disa të tjerë besojnë se fatet e këtyre dy vendeve janë të ndërlidhura.//lk

XS
SM
MD
LG