Lidhje

Armëpushim midis forcave pakistaneze të sigurisë dhe militantëve


Forcat pakistaneze të sigurisë thonë se kanë arritur armëpushimin me militantët pro-talebanë, në luginën Swat në veriperëndim të vendit, pas tri ditë luftimesh të ashpra, në të cilat ushtria thotë se u vranë 60 militantë.

Militantët, përkrahës të një kleriku radikal, që mbështesin ligjin islamik strikt në rajon, bënë thirrje për armëpushim, me synimin për të gjetur të vdekurit dhe të plagosurit.

Dje, forcat e sigurisë, të mbështetur nga zjarri i helikopterëve, vranë të paktën 10 militantë. Nuk dihet nëse në luftime u vranë ndonjë ushtar pakistanez.

Një zëdhënës i militantëve i tha Zërit të Amerikës se grupi i tij do paqe, por shtoi se nuk është zhvilluar ndonjë takim mes përfaqësuesve të grupit, të udhëhequr nga Molana Fazlullah dhe zyrtarëve qeveritarë.

Dhuna në zonën Swat filloi të enjten e kaluar, kur një person që mendohet të ketë kryer një sulm vetëvrasës me bombë, la të vrarë të paktën 30 vetë, shumica ushtarë.

Autoritetet pakistaneze dërguan të mërkurën mbi 2 mijë ushtarë në rajon, për t’iu kundërvënë militantizmit në rritje të përkrahësve të klerikut, Molana Fazlullah. (ze)

XS
SM
MD
LG