Lidhje

Ekspertët: Kremlini e shikon naftën si vegël të politikës së jashtme


Ekspertët e energjisë thonë se ekonomia e Rusisë është në gjendje të mirë si rezultat i çmimeve të larta të naftës dhe rritjes së eksportit të energjisë. Prodhimi i sektorit të energjisë përbën 35% të prodhimit kombëtar bruto të Rusisë dhe krijon 50% të ardhurave ne vend. Pikërisht për këto çështje u diskutua dje në një konferencë të zhvilluar në Universitetin Georgetown të Uashingtonit.

Ndërkohë që çmimi i naftës për fuçi arriti dje një tjetër rekord me 93.56 dollarë, specialistët e energjisë thonë se Rusia është bërë një aktor i rëndësishëm në tregun botëror të naftës dhe të gazit. Richard Harold është drejtor i marrëdhënieve me jashtë në shumbëkombëshen e naftës me qendër në Londër, “BP”, e cila ka bërë investime të mëdha në Rusi. “Rusia është vendi i parë në botë përsa i përket rezervave të naftës dhe të gazit. Ato janë më të mëdha se në Arabinë Saudite, që duket se njihet më shumë për naftën në Shtetet e Bashkuara apo se në Iran. Gjithashtu, Rusia është vendi I parë në botë përsa u përket rezervave të naftës dhe gazit ende të pazbuluara por që ekspertët besojnë se ekzistojnë.”

Prodhimi i sektorit të energjisë përbën 35% të prodhimit kombëtar bruto të Rusisë dhe krijon 50% të ardhurave të buxhetit. Ritmet vjetore të rritjes ekonomike të Rusisë janë 7%.

Eksperti Matthew Sagers, specialist për çështjet energjitike të Rusisë, tha se megjithëse pjesa më e madhe e sektorit energjitik të Rusisë është privatizuar, politikanët në Kremlin e shohin këtë industri si vegël të politikës së jashtme. “Në thelb ajo konceptohet si instrument për rivendosur pushtetin e autoritetit qendror në Rusi dhe një instrument që Rusia të rifitojë pozitën e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare,” thotë eksperti.

Dy vjet të kaluara, Rusia e përdori armën e energjisë, kur ndërpreu përkohësisht eksportin e gazit në Ukrahinë.

Ekspertët përmendën infrastrukturën e dobët dhe mungesën e investimeve kapitale si sfida për industrinë e naftës në Rusi. Ata thanë se taksat janë shumë të larta, duke bërë që stimuli për investime në sektorin privat të jetë i vogël.

Cliff Gaddy, i Insitutit Brookings në Uashington, theksoi se me rritjen e kërkesës së përgjithshme për energji, Perëndimi e favorizon rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit në Rusi. Zoti Gaddy tha se Presidenti Vladimir Putin ka të njëjtin objektiv. “Ka shumë të ngjarë që synimi i perëndimit të realizohet në qoftë se zoti Putin qëndron në pushtet.”

Eksperti Gaddy iu referua me këto komente mundësisë që zoti Putin të qendrojë në pushtet duke u bërë kryeministër, pas përfundimit të mandatit të tij presidencial vitin e ardhshëm.//ii

XS
SM
MD
LG