Lidhje

Pakistan: Sulm vetëvrasës pranë zyrave të presidentit Musharaf


Zyrtarët pakistanezë thonë se një autor sulmesh vetëvrasëse hodhi veten në erë, duke shkaktuar 7 të vrarë afër selisë së zyrave të presidentit Pervez Musharaf në qytetin e Ravalpindit.

Shefi i policisë së Ravalpindit, Saud Aziz, tha se shpërthimi ndodhi në një postbllok policie në një rrugë kryesore të qytetit, afër zyrave të presidentit Musharaf.

Autoritetet thanë se në kohën e shpërthimit gjenerali Musharaf ishte i sigurtë në zyrën e tij, por nuk është e qartë se cili ishte objektivi i autorit të sulmit.

Gjenerali Musharaf i ka shpëtuar të paktën 3 përpjekjeve kundër jetës së tij, dy në dhjetor të vitit 2003 dhe një tjetër korrikun e kaluar, ndërsa aeroplani i tij nisej nga aeroporti i Ravalpindit.

Pakistani është përballur këtë vit me një seri shpërthimesh vetëvrasëse kundër zyrtarëve ushtarakë dhe politikë.

Më 4 shtator nga një shpërthim i dyfishtë po në Ravalpindi humbën jetën 25 veta, shumë prej tyre në një autobuz të ministrisë së mbrojtjes.

Sulmi i sotëm ndodh gjithashtu pas gati dy javësh që nga dy shpërthime në Karaçi në jug të vendit, ku humbën jetën gati 40 veta gjatë një ceremonia për të mirëpritur ish-kryeministres Benazir Buto, e cila u kthye në atdhe pas 8 vjetësh në mërgim.

Shtimi i akteve të dhunës është lidhur me fushatën e përgjakshme të qeverisë kundër Xhamisë së Kuqe radikale në Islamabad këtë vit. Një zëdhënës i ministrisë së brëdshme hodhi poshtë një lidhje të tillë, përkundrazi fajësoi ata që i cilësoi si elementë ekstremistë në Pakistan. (ze)

XS
SM
MD
LG