Lidhje

Ekspertë të energjisë diskutojnë çështjen e prodhimit maksimal të naftës


Për shumë vite me radhë, analistët e energjisë, duke përfshirë disa inxhinierë të naftës me përvojë, kanë paralajmëruar se prodhimi botëror i naftës është gati të arrijë pikën më të lartë. Organizata Energy Watch me bazë në Gjermani publikoi një studim në fillim të këtij muaji, duke thënë se prodhimi botëror i naftës e kishte arritur maksimumin e prodhimit vitin e kaluar dhe tani do të fillonte një rënie prej shtatë përqind në vit. Nëse është e vërtetë, atëherë kjo do të prekte rëndë rritjen botërore të ekonomisë. Një grup analistësh dhe ekspertësh të energjisë u takuan në Houston javën e kaluar për të shqyrtuar çështjen e prodhimit maksimal të naftës.

Ndërkohë që çmimet e naftës arritën nivelin rekord me mbi 90 dollarë për fuçi, përfaqësuesit e kësaj industrie dhe analistët u mblodhën në Houston të shtetit Teksas për të diskutuar nëse prodhimi ka arritur kulmin.

T. Boone Pickens, investitor i fuqishëm në industrinë e naftës ishte mes folësve në konferencën e Shoqatës për Studimin e Prodhimit Maksimal të Naftës. Miliarderi tha se prodhimi botëror i naftës pothuajse e ka arritur kufirin maksimal dhe mund të mos përballojë kërkesat në rritje.

“Çmimi 90 dollarë për fuçi nuk më habit. Nuk do të habitesha nëse do të rritej edhe mbi 100 dollarë për fuçi. Unë nuk po e parashikoj këtë, megjithatë mendoj se do të arrijë në 100 para se të bjerë në 80 dollarë”.

Zoti Pickens ia vuri një pjesë të fajit prodhimit joefikas nga kompanitë shtetërore të cilat nuk i lejojnë disa nga kompanitë private më të avancuara nga ana teknike si ExxonMobil të marrin përsipër fushat e tyre të naftës.

“A mund të nxirren më shumë se 85 milion fuçi në ditë nga e gjithë bota? Sigurisht që është e mundur nëse ExxonMobil e merr përsipër punën. Por kjo nuk do të ndodhë dhe ne e dimë. 75 përqind e naftës së gjithë botës kontrollohet nga kompanitë shtetërore të naftës”.

Shumë analistë të industrisë dhe ekspertë të naftës e vënë në pikëpyetje teorinë e arritjes së prodhimit maksimal të naftës. Ata vënë në dukje se teknologjia e re, e nxitur nga rritjet e çmimeve, ka bërë të mundur nxjerrjen e naftës nga zona që nuk ishin shfrytëzuar më parë.

Prodhuesit e vegjël si Jim Baldauf i kompanisë Apex Resources në Austin të Teksasit, kanë shfrytëzuar puse që dikur mendoheshin se kishin shteruar tërësisht.

“Ne duhet të shpojmë më thellë dhe më me efikasitet me dyfishin e kostos për të marrë një të tretën e prodhimit që merrnim më parë”.

Zoti Baldauf thotë se shumë njerëz në këtë industri mendojnë se prodhimi maksimal do të arrihet shpejt dhe mbështesin përpjekje të ndryshme për ruajtjen e burimeve.

“Nuk ka ndonjë mënyrë të caktuar apo teknologji që mund ta zgjidhë problemin. Ka të ngjarë se kjo do të jetë si mozaik nga ku mund të dalin disa zgjidhje”.

Një nga zgjidhjet mund të jenë automjetet hibride-elektrike si ky që u soll në konferencë nga Jamie Mitchell i kompanisë së shërbimeve Austin Energy.

“Ne duhet të gjejmë zgjidhje të problemit dhe mënyra se si qytetet Austin dhe Houston do të vazhdojnë të zhvillohen kur nuk do të ketë më burime të bollshme nafte”.

Analisti Charles Maxwell paralajmëroi se do të ishte më mirë të ndërmerreshin masa të rrepta që tani në vend që të pritet për një krizë nga mungesa e energjisë.

“Sa më shumë që të bëjmë para se të ndodhë kjo krizë, aq më mirë do të jetë”.

Ai paralajmëroi se një ngjarje e tillë mund të ndodhë në çdo kohë. //iç//

XS
SM
MD
LG