Lidhje

Dita e Shpirtërave në Uashington


Washingtoni, që njihet kryesisht si kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara dhe si qytet i mbushur me politikanë dhe diplomatë, në një ditë të caktuar të vitit, pikërisht më 31 tetor, ai është edhe qyteti i fantazmave. Historitë e frikshme e kanë zanafillën në vitet e hershme të historisë amerikane, kur flitej për praninë e heshtur të shpirtrave në disa nga lagjet e kryeqytetit. Por, të preokupuar nga ngjarjet e jetës së përditshme, uashingtonasit dhe mjetet e shtypit, i tregojnë zakonisht këto histori ditën e Hallouinit, me 31 tetor, kur sipas një tradite të lashtë pagane, amerikanët, kanadezët dhe britanikët vishen me kostume nga më të ndryshmet, komike dhe të frikshme.

Në çfarëdo dite qoftë, ndërsa njerëzit kalojnë në këmbë, apo me makinë para kësaj shtëpie, të quajtur Octagon House, Shtëpia Oktagon, në Washington, ata ndoshta nuk e dinë, se ajo konsiderohet si një nga vendet më të frikshme të qytetit.

Shtëpitë me fantazma zakonisht lidhen me histori të frikshme dhe kjo këtu, nuk bën përjashtim. Por Karolin Krauç, që shoqëron vizitorët e shumtë në këtë shtëpi, thotë se historitë që tregohen për Octagon House kanë diçka ndryshe.

“Në rastin e Shtëpisë Oktagon, të gjitha fantazmat që lidhen me të si dhe historitë që tregohen për të, nuk bazohen tek ndonjë ngjarje e vërtetë”.

Një nga gojëdhanat më të njohura, përfshin pronarin e parë të shtëpisë, Xhan Tejlo dhe dy nga vajzat e tij.

Thuhet, pas një sherri të madh një nga vajzat e shtëpisë ra nga shkallët spirale të shtëpisë me tre kate dhe vdiq. Në se do të kishte qenë e vërtetë, kjo do të ishte një histori e frikshme klasike, ku gërshetohen dashuria me tragjedinë dhe vdekjen e papritur. Por, siç thotë zonja Krauç, asnjë nga këto incidente nuk ka ndodhur në të vërtetë.

“Jo, asnjëra prej vazjave të Xhan Tejlo, nuk ka rënë nga shkallët...”

Karolin Krauch, thotë se ndërsa origjina e historive me fantazma mbetet një mister, legjenda të kësaj natyre vazhdojnë të tregohen, sepse shtëpia dhe vetë Tejlo, ishin një familje e njohur e Uashingtonit.

Në po këtë lagje të Washingtonit, ndodhet edhe Shtëpia e Stivën Dekaturit, një tjetër vend i njohur për fantazma. Stivën Dakatur ishte një hero amerikan, i luftës së vitit 1812. Ndryshe nga historitë e Octagon House, vdekja e parakohëshme e Stivën Dekatur-it në një duel me kapitenin Xhejms Barron dihet nga dokumentacioni i rregullt.

Pasi Dekatur u qëllua për vdekje në duel nga kapiteni Barron, atë e sollën me Pikërisht në këtë dhomë, tregon ngjarjen edhe Sinthia Maliniçk, drejtoreshë e Shtëpisë-Muze të Stivën Dekatur.

“Barroni e plagosi për vdekje Dekaturin dhe sipas gojëdhënës, ky i fundit, qëllimisht e shmangu shënjestrën ndaj kundërshtarit, ngaqë nuk donte ta vriste njeriun që e kishte patur këshilltar”.

Disa njerëz pretendojnë se e kanë parë fantazmën e Dakaturit të shfaqet në dritaren e katit të dytë, si dhe në atë të dhomës së madhe të katit të parë, ku ai vdiq.

Por fantazma e Dekaturit mundet të mos jetë e vetmja brenda këtyre mureve. Flitet gjithashtu për hije dhe zhurma të pashpjegueshme në këto dhoma, ku dikur banonin skllevërit, por që tani janë kthyer në ekzibicione të veçanta. Në oborrin e shtëpisë thuhet se dëgjoheshin tingëllimat e zinxhirëve të skllevërve.

Megjithëse Sinthia Maliniçk thotë se nuk beson tek fantazmat, ajo tregon se një natë, pasi ajo mendonte se kishin ikur të gjithë, kishte dëgjuar zhurmën e hapjes dhe

“Kur dëgjova zhurmën e sirtareve që hapeshin dhe mbylleshin, mendova se ishte koha që edhe unë të shkoja në shtëpi...”

Kjo është një tjetër histori me fantazma, që banorët e Washingtonit e përsërisin çdo vit në kohën e Hallouinit, që është në fakt një rit i lashtë pagan për të kujtuar të vdekurit. //iç//

XS
SM
MD
LG