Lidhje

Stanzel: 10 dhjetori datë vendimtare për statusin e Kosovës


Drejtori politik në Ministrinë e jashtme të Gjermanisë, Volker Stanzel tha sot në Prishtinë se nuk do të ketë shtyrje të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës pas dhjetë dhjetorit kur përmbyllet procesi i negociatave shtesë për këtë çështje.

Pas takimeve me udhëheqësit kryesor politikë në Prishtinë ai tha se vendi i tij angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve, meqë kjo sipas tij është shumë e rëndësishme për tërë Evropën. Pas dhjetë dhjetorit tha ai duhet menduar mirë për hapat e mëtejshëm nëse deri atëherë nuk gjendet një zgjidhje e negociueshme “Nuk do të ketë shtyrje pas dhjetë dhjetorit”, tha ai duke nënvizuar se nuk duhet mrekulli që të gjendet një zgjidhje e tillë. “Por nëse nuk ka një marrëveshje atëherë dhjetë dhjetori do të jetë datë vendimtare dhe natyrisht Bashkimi Evropian dhe Gjermania si pjesë e këtij Bashkimi duhet të marrin vendimin” tha zoti Stanzel.

Qëndrimi i vendit të tij vlerësohet me peshë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, përkatësisht të arritjes së një konsensusi ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Mikpritësit e zotit Stanzel thanë ndërkaq se mbeten të angazhuar në procesin e negociatave shtesë dhe pas dhjetë dhjetorit presin vendimin për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se pas kësaj date gjërat duhet të lëvizin drejt pavarësisë së Kosovës. “Ne jemi të përkushtuar që krejt pak ditë të jenë ditë të konsultave për të marrë vendimin. Mendoj se parlamenti i Kosovës do të marrë vendimin e vet, ne jemi në partneritet me të gjitha vendet që mbështesin dhe që kanë mbështetur këtë proces dhe ecjen e Kosovës drejt pavarësisë, të cilën edhe ta realizojmë”, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha ndërkaq se Kosova është e përgatitur për të ardhmen e saj dhe pret njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj. “Kosova është unike dhe e përgatitur për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi më datën dhjetë dhjetor dhe të vazhdojë me nxjerrjen e vendimit për pavarësi dhe njohje sa më të gjerë ndërkombëtare. Angazhimet tona do të jenë koordinuara plotësisht me Washingtonin dhe Brukselin”, tha zoti Thaçi.

Të hënën në Vjenë pritet raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës deh Beogradit me ndërmjetësimin e treshes së Grupit të Kontaktit. Edhe tri takime janë planifikuar deri në fund të këtij muaji para se treshja e Grupit të Kontaktit t’i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e bisedimeve. Por janë kurrfarë mundësitë që deri atëherë të ketë një marrëveshje ndërmjet palëve. Beogradi kërkon ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ndërsa për Prishtinën, pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme. //rd//

XS
SM
MD
LG