Lidhje

Këshilli i Europës vëzhgon të drejtat e njeriut në Shqipëri


Një mision vëzhgimi i Këshillit të Evropës vizitoi për pesë ditë Shqipërinë për të parë nga afër situatën e të drejtave të njeriut. Komisioneri europian për të drejtat e njeriut, Tomas Hamarberg, deklaroi se qeveria duhet të mbrojë dhe të veçojë të miturit e
paraburgosur, dhe jo t’i lërë ata në burgje bashkë me të rriturit. Duke iu referuar çështjes së prokurorit të përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ai theksoi se autoritetet shtetërore duhet të vendosin procedura të qarta për ndryshimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura.

Komisioneri Hamarberg shprehu besimin se cështja e prokurorit të përgjithshëm, Sollaku, do të zgjidhet sa më drejt, megjithë vështirësitë që po hasen.

“Ne do t’i rekomandojmë autoriteteve shqiptare që të rishikojnë dhe të qartësojnë procedurat e emërimeve në drejtuesit e institucioneve të pavarura mbi bazën e një konsensusi të gjerë politik. Vështirësia e diskutimit mbi prokurorinë qëndron në faktin se po diskutohen njëkohësisht edhe procedurat e emërimeve edhe rezultatet e punës së këtij institucioni”.

Ai tha se duhet të ngrihen disa procedura shumë të qarta për trajtimin e cështjeve të tilla, që lidhen me institucionet e pavarura si drejtësia, prokuroria, avokati i popullit etj. Sipas tij, fillimisht duhet një marrëveshje lidhur me mandatin e këtyre institucioneve, si dhe për kohëzgjatjen e mandateve të drejtuesve të tyre, pastaj duhen procedura shumë të sakta për emërimin e tyre si dhe për trajtimin e rasteve të korrupsionit, apo të masave të nevojshme disiplonore.

“Procedurat e sakta janë të nevojshme për të shmangur ndërhyrjet e politikës. Në vendet europiane këto procedura vendosen me konsensus të gjerë dhe ato zbatohen në mënyrë automatike, sepse janë të paravendosura”.

Komisioneri Hamarberg kërkoi edhe një pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë, uljen e dhunës në familje dhe në shkolla, trajtimin më të mirë të pakicave dhe kujdesin për të miturit në burgje.

“Të miturit në burgje duhet të dënohen me afate sa më të shkurtra dhe të mbahen në kushte shumë të mira, por asnjëherë bashkë me të rriturit. U shqetësova shumë kur pashë në paraburgimin e Vlorës dhe të Tiranës dy fëmijë 14 dhe 15 vjecarë që mbaheshin në të njëjtat mjedise me të rriturit. Kjo është cnjerëzore dhe budallallëk, sa kohë që këta të rinj të ribashkohen në shoqëri, dhe jo të lihen në mjedise ku mësojnë për krimet”.

Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Tomas Hamarberg, tha se do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të trajtojë me seriozitet këtë problem. (ze)

XS
SM
MD
LG