Lidhje

Elenovski:  Plani Ahtisari -  zgjidhja më e mirë për Kosovën


Maqedonia kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë për statusin e Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Lazar Elenovski, tha se vendi i tij mbështet politikat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe e konsideron planin e Presidentit Ahtisari si zgjidhjen më të mirë të këtij problemi. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai tha se si një nga tre vendet kandidate për t’u antarësuar në NATO, Maqedonia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ndërtimin e një ushtrie sipas standarteve të kërkuara nga aleanca.

Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, ju patët një sërë takimesh me zyrtarë të lartë këtu në Uashington. Çfarë çështjesh diskutuat në këto takime dhe a u prek çështja e ndarjes së pushtetit me shqiptarët në këto takime?

Lazar Elenovski: Ne patëm bisedime shumë konstruktive me partenerët tanë amerikanë. Unë pata një takim me Sekretarin e Mbrojtjes, zotin Gates, ku përgjithësisht folëm për probleme të ndryshme në fushën e mbrojtjes, si dhe çfarë në jemi duke bërë në proçesin e transformimeve të ushtrisë maqedonase që ende janë në vazhdim. Gjithashtu, kontributi ynë në misionet ndërkombëtare është i madh dhe vlerësohet shumë. Ne folëm rreth rritjes së re të numrit të trupave në Irak, diçka që mendoj se së shpejti do ta bëjë dhe Shqipëria. Dua të them se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht të tre vendet kandidate për anëtarësimin në NATO, i cili është shumë i rëndësishëm dhe çdo progrese në vendet tona, ata e shohin si shumë pozitive. Dhe ne duhet të pranojmë se janë bërë përparime të mëdha. Situata nga ana jonë është pozitive, por ne duhet të punojmë akoma deri në zhvillimin e samitit të NATO-s.

Zëri i Amerikës: A keni ushtarë shqiptarë në forcat tuaja në Irak dhe Afganistan?

Lazar Elenovski: Maqedonia është një shoqëri me shumë etnike, kështu që ka dhe një ushtri shumë etnike. Ne kemi jo vetëm shqiptarë, por dhe komunitetet e tjera janë gjerësisht të përfshira. Në vitin 2002, përfaqësimi i komuniteteve të tjera jo maqedonase më ushtrinë e Maqedonisë ishte vetëm 5%. Tani, 30-35% e forcave të armatosura janë nga komunitete jo maqedonase. Gjatë këtyre dy viteve, ne kemi punësuar në ushtri një numër të madh shqiptarësh, të cilët janë ushtarë shumë të mirë profesionalistë dhe punojnë krah për krah me ata maqedonas. Duke folur për misionet në Irak dhe Afganistan, është shumë e rëndësishme të themi se ato janë misione multinacionale dhe ne qëndrojmë krah për krah me çdo ushtar të NATO-s.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se 35 përqind e ushtrisë maqedonase përbëhet nga përfaqësues të popullatës jo sllave të Maqedonisë. A mund të na jepni shifrën e shqiptarëve në strukturat e ushtrisë së Maqedonisë?

Lazar Elenovski: Popullsia e Maqedonisë është e përbërë nga 65% maqedonas, 25% shqiptarë dhe 10% janë turq, serbë, boshnjakë, vlleh dhe disa komunitete të tjera. Duke pasur parasysh transformimet dinamike që janë bërë në ushtri gjatë 2-3 viteve të fundit, pjesëmarrja e popullsisë shqiptare në të është rritur në mënyrë dramatike. Jemi krenarë të themi se zv.Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë është shqiptar. Gjithashtu, mund të them se dhe vetë, jam dhe maqedonas dhe nga nëna jam shqiptar. Zv. Shefi i Shtabit është gjithashtu shqiptar, si dhe disa gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë janë shqiptarë. Ne do të ndërtojmë një ushtri shumë etnike shembull, pasi krijimi i një ushtrie shumë etnikie nga Maqedonia shihet si një lehtësi pët të bashkpunuar në forcat e tjera multinacionale.

Zëri i Amerikës: Maqedonia e ka provuar veten si një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Për sa i përket çështjes së Kosovës, ka disa zgjidhje për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. A mund ta konfirmoni qendrimin e qeverisë së Maqedonisë ndaj pavarësisë së Kosovës?

Lazar Elenovski: Maqedonia mbështet planin e Presidentit Ahtisari. Gjatë gjithë këtyre viteve, roli ynë ka qenë shumë konstruktiv. Ne mendjomë se që nga 1999 deri tani ka kaluar shumë kohë dhe ne duam të shohim një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur për Kosovën. Ne përkrahim gjithashtu dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian, të cilët janë të një mendimi se plani Ahtisari është një plan shumë i mirë. Natyrisht që ne do të presim deri në 10 dhjetor për propozimet e Grupit të Kontaktit për të gjetur një farë zgjidhjeje. Një gjë shumë e rëndësishme është që vendet Bashkim Evropian të flasin me një zë dhe sëbashku me aleatët tanë amerikanë të kemi një zgjidhje largpamëse dhe demokratike për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Popullata sllave e Maqedonisë dhe popullata jo sllave, veçanërisht shqiptarët që përbëjnë një shumicë të konsiderueshme në Maqedoni janë dakord me përpjekjet e vendit për të hyrë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sa konstuktive janë marrëdhënit ndëretnike në strukturat tuaja për arritjen e këtij qëllimi?

Lazar Elenovski: Kemi shumë mbështetje nga populli, pavarësisht se janë maqedonas, shqiptarë, turq. Rreth 91% e popullit të Maqedonisë mbështet integrimin e vendit në NATO dhe 95% e tij mbështet integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo është një mbështetje tepër e madhe politike për të gjithë politikanët që janë duke punuar në këto aspekte. Duke pasur këtë mbështetje dhe një konsensus në Parlament ku të gjitha partitë kryesore janë të një mendimi dhe mbështesin këto proçese, ekziston një klimë e mirë politike në këto drejtime. Edhe për tre vendimet më të vështira që Parlamenti ka marrë për dërgimin e trupave tona në Afganistan dhe Irak, nuk ka pasur asnjë votë kundër. Dhe kjo është një mbështetje e madhe. Gjithashtu, buxheti ynë për ushtrinë është 2.3% e buxhetit të përgjithshëm që është shumë më i lartë se i shumë vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë sens, mendoj se janë kushte shumë të favorshme për të ndërtuar një ushtri shumë etnike moderne dhe të dislokueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme të kësaj aleance. //ii

XS
SM
MD
LG