Lidhje

Plane për konferencë donatorësh për Kosovën


Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian tha se po planifikohet mbajtja e një konference të madhe donatorësh për Kosovën menjëherë pas zgjidhjes së statusit. Drejtori i Komisionit Evropian për Zgjerimin Michael Leigh i tha Zërit të Amerikës se viti 2008 mund të jetë një vit vendimtar edhe për anëtarsimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës vazhdojnë. Negociatat ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës aktualisht drejtohen nga Grupi i Kontaktit.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian i tha Zërit të Amerikës se BE-ja po përpunon hollësitë e fundit për përfshirjen e saj në Kosovë pas zgjidhjes së statusit. Brukseli është gjithashtu duke bërë plane për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh. ”Ne shpresojmë të përkrahim sistemin gjyqësor, sistemin e policisë. Ne do të shkojmë atje me më tepër ndihma ekonomike për modernizimin e Kosovës. Unë isha sot në diskutime me Bankën Botërore për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm të mbajmë një konferencë të madhe donatorësh për të ndihmuar në çështje të ndryshme, përfshirë çështjen e borxhit që është një problem i madh. Pra ne jemi të gatshëm të luajmë një rol shumë aktiv por ne para se gjithash kemi nevojë për një marrëveshje e cila të tejkalonte situatën e tanishme që për ne është e paqëndrueshme.” Michael Leigh është Drejtor i Komisionit Evropian për Zgjerimin. Ai thotë se pozita gjeografike, tradita dhe vlerat e përbashkëta e bëjnë Serbinë një vend me perspektivë për t'u anëtarsuar në Bashkimin Evropian.

Zoti Leigh thotë se Brukseli po punon shumë për të bindur popullin serb se vendi i tyre ka përspektivë në Bashkimin Evropian. ”Një nga mënyrat për ta bërë këtë është t’u krijohen lehtësi qytetarëve serbë të udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Është brengosëse që rreth 70 apo 80 përqind e të rinjve serbë nuk kanë dalë kurrë nga Serbia. Ne kemi arritur një marrëveshje me Serbinë që e bën më të lehtë për qytetarët e këtij vendi të marrin viza për Bashkimin Evropian. Ne kemi dhënë gjithashtu një numër bursash për studentë serbë dhe nga rajoni që të arësimohen në vende të Bashkimit Evropian.” Zoti Leigh thotë se Ballkani Perendimor duhet të kalojë më tepër sfida se vendet e tjera të Evropës Lindore në rrugën drejt anëtarsimit në Bashkimin Evropian.

Dekada e luftrave që përfshinë rajonin bënë që Brukseli të kërkojë nga këto vende një bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përpjekje për pajtim dhe trajtim të drejtë të pakicave dhe refugjatëve. Kroacia, thotë zoti Leigh, është në rrugë të mbarë për tu bërë anëtari i 28 i Bashkimit Evropian. ”Negociatat me Kroacinë po shkojnë mirë. Ky vend ka arritur të hyjë në një rrugë të drejtë dhe mendoj se gjatë vitit të ardhshëm do të arrijmë në një fazë vendimtare në negociatat për pranimin e Kroacisë në BE.” Zoti Leigh thotë se deri në vitin 2008 Bashkimi Evropian shpreson të ketë përfunduar 80-90 përqind të negociatave për anëtarsim me Kroacinë. Përsa i përket Bosnjes, zoti Leigh thotë se politikanët e saj duhe të rrisin përpjekjet që ta bëjnë këtë vend të funksionojë në mënyrë të pavarur. //rd//

XS
SM
MD
LG