Lidhje

Policia në Pakistan arreston qindra anëtarë të opozitës


Forcat pakistaneze të sigurimit përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për të sprapsur juristët që po zhvillonin sot protesta kundër gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga Presidenti Pervez Musharaf.

Përleshja më e madhe ndodhi në qytetin lindor Lahore, ku mbi 1 mijë juristë u mblodhën para Gjykatës së Lartë. Policia iu kundërpërgjigj protestave duke rrahur dhe arrestuar qindra vetë.

Forcat e rendit përdorën forcën edhe kundër protestuesve në Karaçi, Rawalpindi dhe në kryeqytetin e vendit Islamabad. Policia bastisi gjithashtu zyrat e gazetës popullore Awam në Karachi. Vazhdon bllokimi i të gjitha mjeteve të pavarura të transmetimit. Mbi 1 mijë e 500 vetë janë arrestuar që kur Gjenerali Prevez Musharaf vendosi të shtunën gjendjen e jashtëzakonshme.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs thotë se Presidenti Musharaf duhet të japë dorëheqjen si komandanti i përgjithshëm ushtarak dhe të rivendosë regjimin civil. Zonja Rajs i bëri sot thirrje zotit Musharaf të mbajë premtimin për të hequr uniformën e tij ushtarake. Ajo shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara besojnë se rruga më e mirë për Pakistanin është kthimi në një sistem kushtetues, pasuar nga zgjedhjet.

Presidenti Musharaf e kaloi një pjesë të ditës në takime me diplomatë të huaj. Ndërkaq, zërat se ai ishte vënë nën arrest shtëpie nga një ushtarak i lartë u hodhën poshtë. (kh)

XS
SM
MD
LG