Lidhje

Surroi: B.E. të vendosë vëzhgues në kufirin me Serbinë


Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë për vendosjen e vëzhguesve të Bashkimit Evropian në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në pjesën e Luginës së Preshevës.

Këto komente u bënë pas takimit të përfaqësuesve të tri komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me anëtarin e ekipit të negociuesve të Prishtinës, Veton Surroi.

Ai tha se çështja e Luginës së Preshevës, duhet të jetë pjesë e detyrimeve që dalin nga çfarëdo marrëveshje që do të arrihet me Bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai i quajti shqetësuese paralajmërimet e zyrtarëve të Serbisë se do të ketë bllokim të kufirit në rast të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Duhet t’i sigurojmë zyrtarët e Serbisë që Kosova do ta shpallë Pavarësinë e vet, por duhet të sigurojmë po ashtu se ne synojmë një komunikim të papengueshëm qoftë të shqiptarëve, qoftë të serbëve në cilëndo anë të kufirit. Nesër dhe sot nga këtu duhet të kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të vendos monitorët, në kufirin mes Kosovës dhe S erbisë në atë pjesë së Luginës së Preshevës, në mënyrë që të garantojnë një kalueshmëri normale në komunikim normal me të tjerë”, tha zoti Surroi.

Përfaqësuesit e shqiptareve të Luginës së Preshevës, kërkuan mbështetjen më të fuqishme të Prishtinës. Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës pret që angazhimi i Prishtinës të intensifikohet më afrimin e fundit të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Në çfarëdo marrëveshje që do të bëhet mes Kosovës dhe Beogradit të kihet parasysh që të drejtat e shqiptarëve të realizohen në atë shkallë siç do të realizohen në Kosovën e pas statusit. Besoj që për këtë do të ketë mirëkuptim edhe bashkësia ndërkombëtare që në momente kohore kur definohet statusi I Kosovës qoftë nga Parlamenti ,qoftë I pranuar edhe nga Këshilli I Sigurimit apo i Kombeve të Bashkuara, të ketë një vëzhgim të posaçëm nga misioni monitoruese nga bashkimi evropian që çështjet kufitare në mes Preshevës, Bujanovcit dhe Kosovës meqë, lajmërohen natyrisht kriza të ndryshme nga qarqe të caktuara të Serbisë. Megjithatë kujtoj që gjithçka do të mbaroj në mënyrën më të mirë të mundur dhe në favor të shqiptarëve”, tha zoti Mustafa.

Gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sipas përfaqësuesve politikë të këtij rajoni, nuk ka shënuar ndonjë përmirësim që nga pranvera e vitit 2001 kur me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtarë iu dha fund luftës ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe.

Ndonëse kjo çështje nuk është pjesë e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përfaqësuesit politikë shpresojnë se modeli i zgjidhjes së çështjes së pakicës serbe në Kosovë mund të zbatohet për shqiptarët në Serbi. //ii

XS
SM
MD
LG