Lidhje

Në Fokus: Sistemi politik i Iranit


Irani nuk është demokraci e stilit perëndimor. Shumë analistë thonë se shoqëria iraniane është e rënduar nga problemet. Ky vend ka një regjim teokratik islamik që ndeshet me një pakënaqësi në rritje. Në kronikën në vazhdim korrespondentja Jela de Franceschi i hedh një vështrim sistemit të komplikuar politik të Iranit.

Irani u bë republikë islamike në vitin 1979 pasi u rrëzua monarkia dhe Shahu Mohamed Reza Pahlavi u detyrua të shkonte në mërgim. Që nga ajo kohë, vendi është drejtuar nga një sistem i ndërlikuar institucionesh të zgjedhura dhe të pazgjedhura me parametra të paqarta të autoritetit të tyre. Irani ka një kryetar shteti që nuk zgjidhet me vota të lira, i cili njihet si Udhëheqësi Suprem. Po ashtu ka edhe një president dhe parlament të zgjedhur. Por Këshilli i pazgjedhur i Rojeve të Revolucionit mund t’u vërë veton ligjeve dhe të diskualifikojë kandidatë nga votimet.

Steve Yevin është analist politik në Universitetin Old Dominion në Norfolk të Virxhinias. "Irani ka një sistem që u lejon burrave dhe grave të hedhin votën, por kandidatët që konkurojnë për zgjedhje vendosen nga regjimi. Kjo praktikë përbën shkelje të asaj që ne konsiderojmë demokraci".

Deri pak vjet më parë politika në Iran ballafaqohej me përplasjet e institucioneve të zgjedhura dhe atyre të pazgjedhura dhe nganjëherë Parlamenti përpiqej t’i bënte qëndresë sistemit islamik konservator.

Por profesor Yevin shpjegon se që kur pasuesit e vijës së ashpër morën nën kontroll parlamentin në vitin 2004 dhe presidencën në 2005-s, duke dominuar institucionet qeveritare, sistemi politik i Iranit nuk ka pothuajse aspak hapësirë për reforma dhe qëndrime të moderuara. Në radhët e popullatës po rritet pakënaqësia, veçanërisht në lidhje me ekonominë.

Irani është ndër vendet me rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe këtë vit llogaritet të ketë eksportuar naftë me vlerë prej 60 miliardë dollarësh. Por shumë iranianë shprehen se nuk po përfitojnë nga kjo pasuri kombëtare, thotë Abas Amanat, ekspert për Iranin në Universitetin Yale. "Janë të pakënaqur nga gjendja ekonomike e cila ka vazhduar të keqësohet që pas Revolucionit Iranian. Edhe po ta krahasosh me 10 vjet më parë ekonomia iraniane nuk ecën mirë. Kjo ka zgjuar pakënaqësi ndaj politikave qeveritare".

Ekonomistët thonë se pjesa e popullatës e prekur më rëndë janë iranianët e rinj dhe shtresa më e arsimuar. Sipas një studimi të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbi 150 mijë nga pjesa më e arsimuar e iranianëve emigrojnë çdo vit. Iranianët janë gjithashtu të shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend. Gjatë muajve të fundit një valë arrestimesh kishte në shenjestër veprimtarë për të drejtat e grave, aktivistë studentorë, gazetarë dhe sindikalistë.

Shumë iranianë e ndjekin me shqetësim tensionimin e marrëdhënieve të Teheranit me Perëndimin lidhur me programin bërthamor të Iranit. Por profesori i Universitetit Yale, Abas Amanat, thotë se iranianët i mbështesin përpjekjet e vendit të tyre për një program bërthamor paqësor. Profesori shton se për çështje të tilla, iranianët solidarizohen me udhëheqjen e vendit: "Kur një fuqi e huaj kritikon Iranin, mund të thuhet se shumica e popullsisë i del në mbështetje regjimit, pasi e konsiderojnë këtë çështje si diçka që prek krenarinë kombëtare dhe jo si kritikë ndaj regjimit iranian. Në çështje të tilla, regjimi fiton popullaritet".

Por ekspertë të tjerë si James Phillips i Fondacionit Heritage, argumentojnë se klerikët nuk janë treguar të hapur në shpjegimin e synimeve bërthamore: "Shumë iranianë mbështesin prodhimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore, por nuk e kuptojnë se qeveria e tyre është e angazhuar në diçka krejt tjetër. Teherani po e përdor programin civil të energjisë bërthamore për të maskuar ambicjet e Iranit për prodhimin e armëve bërthamore". Një anketë e fundit tregon se shumë iranianë e shohin programin bërthamor të vendit të tyre si një vegël për tratative diplomatike.

Sipas një ankete të organizatës Terror Free Tomorrow, shumë iranianë besojnë se vendi i tyre do të ishte më i sigurtë nëse zotëron armë bërthamore. Por një numër edhe më i madh iranianësh janë të gatshëm të heqin dorë nga ky program në shkëmbim të subvencioneve ekonomike, si dhe për të mundësuar normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Pjesa më e madhe e ekspertëve mendojnë se shumë iranianë nuk duan të ballafaqohen me Perëndimin për arsye të armëve bërthamore dhe kërkojnë nga qeveria që të reformojë ekonominë dhe politikën.//rd//

XS
SM
MD
LG