Lidhje

SHBA: Majk Hakëbi, kandidati republikan i preferuar i medias


Ish guvernatori i shtetit Arkansas Mike Huckabee, pak i njohur jashtë shtetit të tij, po zhvillon një garë pa shumë shpenzime dhe pa shumë shanse për të marrë emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president. 52 vjeçari është i preferuar i medias, por nuk ka shumë para për fushatën e tij. Megjithatë, sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se ai ka epërsi ndaj rivalëve, sidomos në shtetin e Iowas ku do të zhvillohen koferencat e partisë republikane. Cindy Saine i hedh një vështrim më të hollësishëm portretit politik të republikanit Mike Huckabee.

Mike Huckabee rrezaton optimizëm dhe shpesh përdor ironinë ndaj vetes gjatë fushatës. Ai e paraqet veten si një kandidat jo me shumë shanse por që të bën për vete. Një gazetar e pyeti atë se përse është futur në garë. “Mund ta nisja përgjigjen duke ju thënë se nuk e kam mendjen në vend që e bëra këtë gjë, por e di që kjo nuk është përgjigja që ju doni. Jo. Mendoj se Amerika ka nevojë për udhëheqje pozitive dhe optimiste që të ndihmojë për të kthyer besimin e vendit”. Huckabee është përpjekur të bëjë për vete konservatorët. Ai shpreh një ndjenjë të fortë besimi fetar, duke dalë hapur kundër abortit dhe martesës mes homoseksualëve.

Por nuk është e lehtë ta përkufizosh këtë politikan që është edhe prift baptist. Ai i bie kitarës bas në grupin e tij të rokut të quajtur Capitol Offense. Në fushatën elektorale, disa votues në Peterborough të shtetit New Hampshire të cilët e takuan zotin Huckabbe, thanë se ata e pëlqejnë atë. “ Ai ka shumë ide të mira dhe është njeri me këmbë në tokë. Ai pëlqen qentë, luan në kitarë. Çfarë mund të kërkosh më shumë?” Një tjetër votues komenton. “Ai iu përgjigjet pyetjeve, duke u mbështetur në parimet e tij, një cilësi e mirë për një politikan”. Huckabee ka drejtuar shtetin Arkansas nga viti 1996 deri më 2007 si përfaqësues i qendrës. Ai i anashkaloi dogmat e partisë së tij kundër taksave të larta, duke i rritur ato që të mund të financonte programin shëndetësor të fëmijëve.

Disa analistë thonë se kombinimi i parimeve të tij si konservator social dhe populizmit ekonomik, mund t’i bëjë për vete votuesit e shtresës punëtore si të bardhë dhe ata me ngjyrë në jug dhe në pjesën qendrore të vendit. Ai shpesh përmend një tjetër ish guvernator të shtetit Arkansas, Bill Klinton, i cili gjithashtu vinte nga një familje punëtorësh në një qytezë të vogël të quajtur Hope.

Klinton kandidoi për president dhe fitoi dy herë. Huckabee ka kaluar përmes disa fazash ndryshimi në jetën e tij. Ai ishte i pari mashkull nga familja që u diplomua në shkollë të mesme dhe universitet dhe më pas arriti të bëhej guvernator. Më vonë, me nxitjen e mjekut, guvernatori humbi 50 kg peshë, duke u shndërruar në një vrapues maratone.

Tani, analistët aludojnë nëse ai do të jetë i zoti që të bëhet udhëheqës i garës brënda republikanëve. Disa prej sondazheve të fundit tregojnë se Huckabee është në garë me një kandidat tjetër për vendin e dytë mes rivalëve republikanë për shtetin e Iowas, një shtet strategjik për votimet paraprake.

Ndonëse kritikët thonë se ai nuk ka përvojë në politikën e jashtme, Huckabee ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër terrorizmit, të ngjashëm me kandidatët e tjerë republikanë që udhëheqin garën. “Ne nuk mund ta kuptojmë se deri ku arrin fanatizmi që udhëheq islamofashizmin, dhe ja pse duhet të sigurojmë që çdo amerikan ta kuptojë që kërcënimi ndaj lirisë sonë është real”. Huckabee tha për Zërin e Amerikës se ai beson që mund të fitojë garën megjithëse nuk ka shumë fonde apo një organizim mbarëkombëtar të fushatës. “Mendoni se ku e nisëm, ishim në fund fare dhe trajektorja jonë është në ngjitje. Ka të tjerë që e kanë nisur nga maja më e lartë. Por pak nga ata që e nisën mjaft lart, po vazhdojnë atje ku e nisën. E ndërsa të tjerëve u ka ngecur anija e tyre në rërë, velat tona janë hapur dhe ne po ecim në drejtim të erës”. Votuesit në shtetet ku bëhen zgjedhjet paraprake dhe konferencat e partive në fillim të vitit 2008 do të jenë të parët që do të vendosin nëse Mike Huckabee është gati të nisë maratonën më të rëndësishme të jetës së tij, garën për Shtëpinë e Bardhë. //rd//

XS
SM
MD
LG