Lidhje

Kryeministri i Turqisë Erdohan po takohet sot në Washington me Presidentin Bush


Zyrtarët turq thonë se rezultati i bisedimeve në Washington do të përcaktojë në masë të gjerë, se çfarë veprimesh, do të mund të marrë Turqia për këtë çështje. Ata këmbëngulin se të gjitha mundësitë qëndrojnë të hapura, që nga një ndërhyrja ushtarake në shkallë të gjerë, e deri tek sanksionet ekonomike.

Konflikti e ka zanafillën dekada më parë, në vitin 1984, kur Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, rrëmbeu armët, për të luftuar kundër qeverisë për autonominë e kurdëve në juglindje të Turqisë. Tensionet u gjallëruan përsëri muajin e kaluar, pas një sulmi vdekjeprurës kundër ushtarëve turq nga ana e rebelëve kurdë, të cilët ishin futur në Turqi nga Iraku verior.

Turqia ka paralajmëruar, se në se qeveria irakiane dhe ushtria amerikane nuk marrin masa kundër kryengritësve kurdë, këtë do ta bëjë ajo vetë. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës në Stamboll, Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshyar Zebari bëri përsëri thirrje për përmbajtje dhe paralajmëroi lidhur me ndikimet të mund të ketë ndërhyrja ushtarake.

"Çdo ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë, do të destabilizonte edhe pjesën e vetme më të qëndrueshme të Irakut dhe kjo mund të prishte arritjet në frontin e sigurisë dhe në atë eknomik, gjë që nuk është në interesin e askujt."

Qeveria irakiane ka premtuar të marrë masa më të ashpëra kundër rebelëve, por nuk është e qartë, në se kjo do të ishte e mjaftueshme për Turqinë.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Turqinë, Joost Hilterman, i tha Zërit të Amerikës se ai i konsideron sanksionet ekonomike më të mundshme, se sa një operacion ushtarak në shkallë të gjerë, për të cilin ai thotë se Turqia do të hezitonte ta ndërmerrte, pas marrëveshje me amerikanët.

"Sanksionet ekonomike janë të mundshme, por nuk mendoj se ato janë mundësia më e mirë për Turqinë, sepse kjo do të krijonte një armiqësi edhe më të madhe mes Turqisë dhe qeverisë rajonale kurde në Irakun verior. Unë jam i mendimit, se për Turqinë do të ishte më mirë, po të gjente një zgjidhje politike për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, për t’i dhënë asaj një lloj amnestie, për të patur një marrëdhënie të afërt ekonomike me rajonin kurd në Irakun verior."

Zoti Hilterman thotë se kërcënimet e Turqisë për të vepruar kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, po ashtu, sinjalizojnë një shqetësim edhe më të madh.

"Duke i bërë presion Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, dhe duke i kërkuar qeverisë amerikane të ushtrojnë presion ndaj qeverisë rajonale kurde në Irakun verior, me synimin për ta patur atë nën kontroll dhe për të mos i dhënë ndonjë ide lidhur me pavarësinë e ardhshme të Kurdistanit."

Hilterman thotë se ideja e një shteti kurd pranë, është një lloj kërcënimi për Tuqinë. Ankaraja druhet se pakicat kurde të Turqisë do të inkurajoheshin për të vazhduar syniemte tyre dhe rezultati do të ishte shthurja e shtetit modern turk. Ndërsa përpiqen të zbusin tensionet, Shteteve të Bashkuara do t’u duhet ta luajnë me kujdes dhe në mënyrë të ekuilibruar kartën politike, mes dy vendeve mike: Turqisë, një aleate prej një kohe të gjatë me NATO-n dhe me aleatët besnike kurdë të Irakut. (kh)

XS
SM
MD
LG