Lidhje

Ahtisari: Durim në pritje të raportit të Treshes mbi bisedimet për Kosovën


Zgjidhja e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës kërkon durim, shprehet Marti Ahtisaari, ish-i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Zoti Ahtisaari është vetë në pritje të qëndrimit që do të mbajë Këshilli i Sigurimit, pasi të marrë raportin e Treshes Ndërkombëtare, por paralajmëron për rrezikun që ka nxjerrja e kësaj çështjeje jashtë autoritetit të OKB-së. Ish-presidenti finlandez i bëri këto komente dje në një diskutim me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown në Uashington:

Presidenti Ahtisaari mbetet partizan i zgjidhjes së çështjes përmes një rezolute të Organizatës së Kombeve të Bashkuara: "Të gjithë ata që duan që OKB-ja të luajë një rol të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare duan që çështja të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit. Por kjo është në dorë të Këshillit."

Zoti Ahtisaari vë në dukje se plani i tij nuk u hodh kurrë në votë në Këshillin e Sigurimit, megjithëse është e qartë se shumica e vendeve në këtë këshill e mbështesin këtë plan. Ai paralajmëron për rrezikun që ekziston me tërheqjen e çështjes nga Këshilli i Sigurimit: "Më vjen keq të them por mënyra se si është trajtuar çështja e Kosovës po minon rolin e Këshillit të Sigurimit," thotë ish- i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Çështja e Kosovës u tërhoq nga Këshilli i Sigurimit, nën shqetësimet se Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit, do t’i vinte veton një projekt-rezolute që do të çonte drejt pavarësisë së saj. Rusia kërkon që zgjidhja të jetë e pranueshme nga Beogradi, ndërkohë që paralajmëron se një zgjidhje e bazuar në parimin e vet-vendosjes do të nxiste procese të ngjashme separatiste në zona të tjera të botës.

Presidenti Ahtisaari thekson se sado e rrezikshme qoftë një zgjidhje e tillë për rajone të tjera, mungesa e një zgjidhjeje për Kosovën mbart një rrezik edhe më të madh: "Shpesh kam debate me diplomatët që më thonë se nëse kjo çështje zgjidhet në këtë mënyrë do të ketë ndikim diku tjetër. I pyes: Mos po thoni se statusi i Kosovës nuk duhet zgjidhur, pasi ka ndikim diku tjetër? Menjëherë më përgjigjen: Jo, nuk e kisha fjalën aty. Pra, kjo çështje duhet zgjidhur. Status kuoja nuk mund të vazhdojë."

Megjithatë, zoti Ahtisaari nuk pranon të spekulojë për përfundimin e negociatave në vazhdim, duke theksuar se të gjithë duhen të tregohen të duruar. Pavarësisht nga përfundimi, thekson ish- i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për çështjen e Kosovës, kjo temë do të kthehet përsëri në Këshillin e Sigurimit kur të paraqitet raporti i Treshes:

"Të jemi të duruar. T’i japim mundësi Treshes të vazhdojë negociatat. Pas 10 dhjetorit ata do t’i raportojnë Sekretarit të Përgjithshëm. Raporti duhet më pas të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare. Më pas raporti do të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit për të parë ku ndodhemi dhe të shpresojmë që Këshilli do të marrë vendimin e duhur. Nëse jo, paralajmëron zoti Ahtissari, ekziston rreziku që çështja të dalë përsëri për t’u zgjidhur jashtë Këshillit të Sigurimit."

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit u mblodhën dje në Vjenë për një tjetër raund bisedimesh me ndërmjetësimin e Treshes Ndërkombëtare. Në takimin e fundit Beogradi parashtroi propozimin që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut, kur Britania ia ktheu Kinës në vitin 1997 me premtimin se do të gëzonte një autonomi të gjerë nga qeveria komuniste kineze. Pala shqiptare e hodhi poshtë propozimin duke nënvizuar se historiku i Hong Kongut dhe i Kosovës janë kaq të ndryshëm, duke e bërë të papërshtatshëm modelin e Hong-Kongut për Kosovën.

Ky ishte raundi i katërt i bisedimeve në kuadër të negociatave shtesë, që synon gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve. Deri tani këto negociata nuk kanë arritur të afrojnë qëndrimet e skajshme të Prishtinës dhe Beogradit. Më 10 dhjetor Treshja Ndërkombëtare i raporton Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi përfundimet e negociatave. //ad//

XS
SM
MD
LG