Lidhje

Oklahoma zbaton ligjin më të rreptë për imigrantët e paligjshëm


Shteti i Oklahomës ka filluar zbatimin e një ligji të ri që është cilësuar si më i rrepti në vend kundër imigrantëve të paligjshëm. Përkrahësit e ligjit thonë se ai do të pakësojë krimin dhe do të ulë fondet publike që përdoren për sherbimet sociale nga njerëz që nuk kanë të drejtë të jenë në Shtetet e Bashkuara. Por grupet latino-amerikane të përkrahura nga grupe të të drejtave civile dhe kisha, thonë se ligji i ri përbën diskriminim.

Masa e re e bën antiligjore marrjen në punë, trasportimin apo strehimin e imigrantëve të paligjshëm dhe autorizon policinë në shtetin e Oklahomës që të bashkëpunojë me autoritetet federale të imigracionit për të zbatuar ligjin e ri të imigracionit. Masa gjithashtu u mohon shërbimet sociale imigrantëve të paligjshëm dhe vendos denime ndaj atyre që i punësojnë ata.

Ligjëvënësi republikan Randy Terrill, propozuesi i ligjit të ri, thotë se ai do t’i kursejë fonde shtetit dhe do të ndihmojë në luftën kundër krimit dhe kërcënimeve të mundëshme terroriste. “Të kesh 12 deri 20 milionë imigrantë të paligjshëm dhe të mos dish se cilët janë këta apo çfarë bëjnë, është thjesht një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Përveç kësaj, kjo sjell probleme të shumta si krimet, bandat apo trafiku i narkotikëve. Madje Byroja e Narkotikëve në Oklahoma llogarit se rreth 40 përqind e trafikut të drogës që kalon nëpër Oklahoma është e lidhur direkt me problemin e imigrantëve të paligjshëm.”

Por organizatat e të drejtave civile, kishat dhe grupeve amerikano-latine e kanë kundërshtuar ligjin e ri, duke thënë se ai do të çojë në diskriminim ndaj latinëve, të huajve dhe çdokujt me lëkurë zeshkane. Një gjykatës federal nuk pranoi të shqyrtojë një ankesë ligjore të një grupi fetar latinas, duke lejuar kështy hyrjen në fuqi të ligjit më 1 nëntor. Patricia Fennell, drejtore ekzekutive me Agjencinë për Zhvillim të Komunitetit Latin, një organizatë jofitimprurëse në qytetin e Oklahomës, thotë se disa biznese në atë zonë po shohin efektet e largimit të imigrantëve nga ai shtet si rezultat i ligjit. “Punëdhënësit po na telefonojnë dhe kërkojnë të mbushin vende pune të lena bosh dhe nuk gjejne punonjës. Përshembull në ndërtim ata na thonë se kanë humbur 15 deri 20 përqind të punonjësve dhe nuk mund të përfundojnë punën brenda afateve të duhura”, thotë zonja Fennell.

Zbatimi i ligjit të ri në Oklahoma gjithashtu po ndiqet me vëmendje nga shtete të tjera. Ligjvënësit në Utah thonë se ata po punojnë për një ligj të ri, të bazuar në ligjin e Oklahomës. Vetëm këtë vit, 43 shtete amerikane kanë miratuar 182 ligje që kanë lidhje me imigracionin. Në disa raste, gjykatat federale nuk kanë lejuar zbatimin e ligjeve lokale kundër imigracionit, nën argumetin se imigracioni është një çështje federale.

Por shumë ligjëvënësh shtetesh dhe të qeverish lokale thonë se ata kanë të drejtë të marrin masa më të ashpra, përderisa qeveria federale nuk po arrin të sigurojë kufijtë federalë. Përplasjet ligjore rreth këtyre qendrimeve mund të bëjnë që imigracioni të bëhet një çështje edhe më e rendësishme gjatë fushatës presidenciale të vitit të ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG