Lidhje

Tetovë: Gjashtë të vrarë gjatë operacionit të policisë ndaj grupeve të armatosura

  • Isak Ramadani

Policia speciale maqedonase ka ndërmarrë një aksion në fshatrat e malësisë së Sharrit, në veriperëndim të Tetovës, për kapjen e disa personave të këruar. Por, aksioni ka lënë për pasojë, të paktën gjashtë persona të vrarë nga radhët e grupeve të armtaosura, sipas njoftimeve të Ministrisë së Rendit. Ndërkohë, banorët civilë thonë se ka dëme edhe tek ata.

Gjatë ditës, policia fliste për tetë të vrarë të gjithë nga radhët e, siç i quajnë autoritetet e këtushme, bandave të armatosura. Ndërkohë Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska u tha gazetarëve vonë pasdite se numri i personave të vrarë ishte katër dhe gjashtë të arrestuar, ndërsa policia nuk kishte pësuar asnjë dëm, sipas saj.

Më vonë, Ministria e Rendit tha se kishte gjetur edhe dy trupa të tjerë që u përkisnin grupeve të armatosura, duke ngritur kështu numrin e të vrarëve në gjashtë. Aksioni që tashmë ka përfunduar, është bërë në kërkim të grupeve të armatosura të udhëhequra nga shqiptarët Lirim Jakupi i njohur si "Nacisti" dhe Ramadan Shiti, që të dy të persona të kërkuar për krime në Maqedoni dhe të arratisur para pak muajsh nga burgu i Dubravës në Kosovë.

Policia maqedonase në orët e para të mëngjesit të sotëm filloi aksionin kundër këtyre grupeve në fshatrat Brodec, Veshallë dhe Vicë. Helikopterë të forcave maqedonase janë përdorur gjatë aksionit.

Njoftimin e KFOR-it për një helikopter të policisë maqedonase të rrëzuar në këtë rajon autoritet maqedonase e kanë hedhur poshtë si jo të vërtetë. Nuk mund të konfirmohen as njoftimet për shkatërrimin e disa autoblindave të forcave policore maqedonase, nga ana tjetër.

Banorët shqiptarë, ndërkohë njoftojnë për të paktën dy shtëpi të djegura nga zjarri i forcave policore si dhe minareja e xhamisë së fshatit Brodec të jetë rrëzuar, po ashtu. Ministrja Jankullovska tha se njësitet e policisë kanë qenë etnikisht të përziera, që do me thënë edhe me policë shqiptarë.

Zonja Jankullovska tha se gjatë ditës ministria e PB ka qenë në kontakt me Shërbimin policor të Kosovës dhe me KFOR-in prej nga kanë marrë mbështetje për të penguar eventualisht kalimin e grupeve të armatosura nga Maqedonia në Kosovë.

Një vajzë e re në moshë përmes telefonit kërkon ndihmë për babanë e plagosur: “Nuk kemi si ta dërgojmë në spital...” ,-tha ajo.

Për opinionin publik shqiptar mbetet e paqartë se se kush në fakt janë grupet e armatosura shqiptare të cilat janë përleshur me forcat qeveritare maqedonase.

Kryetari i komunës së Tetovës Hazbi Lika tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se gjendja duket pak më e qetë, por vazhdon pasiguria:

“Megjithatë mbeten disa enigma. Nga minisrtia e Punëve të Brendëshme vinin informacione kontradiktore. Ato po manipulojnë rreth ngjarjeve. Kemi qenë në huti duke u përpjekur të kuptojmë se ç‘po ndodh realisht atje.” ,- tha zoti Lika.

Policia ka bllokuar hyrje-daljet nga Tetova për në fshtrat e malësisë së Sharrit, ndërsa Brukseli zyrtar ka kërkuar sqarime nga qeveria në Shkup lidhur me zhvillimet e sotme. Ndërsa, partia BDI ka mbajtur një takim urgjent në Tetovë prej nga ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të aksionit të policisë. Edhe Bashkimi Demokratik Shqiptar e ka krahasuar gjendjen me ate te vitit 2001 dhe ka kerkuar terheqjen e DPSH-se nga koalicioni qeveritar.

Ndërkohë, në Shkup, policia maqedonase ka bastisur të paktën tre shtëpi të shqiptarëve dhe ka arrestuar disa persona të cilët kanë qenë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për shkak se kanë kontaktuar, sipas akuzave të policisë me grupet e armatosura në malësinë e Sharrit.//lk

XS
SM
MD
LG