Lidhje

Duma ruse voton për tërheqjen nga Traktati për Forcat Konvencionale në Evropë


Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma, votoi njëzëri për tërheqjen e Rusisë nga një pakt i rëndësishëm i kohës së Bashkimit Sovjetik i cili kufizon numrin e trupave dhe armët konvencionale në Evropë.

Me 418 vota pro dhe asnjë kundër, duma votoi për tërheqjen e Rusisë nga detyrimet e Traktatit për Forcat Konvencionale në Evropë.

Presidenti rus thotë se nuk ka lidhje mes traktatit dhe dislokimit të trupave ruse në ato vende, të cilat Kremlini i quan misione paqeruajtëse.

Vendimi unanim konfirmon një plan për këtë tërheqje të njoftuar në muajin korrik nga presidenti Vladimir Putin, në përgjigje të një propozimi amerikan për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore. Uashingtoni thotë se sistemi është ndërtuar për t’u mbrojtur nga Irani, por Moska e sheh atë si një kërcënim për sigurinë e Rusisë.

Traktati u miratuar në vitin 1990 nga Nato-ja dhe Bashkimi Sovjetik për të vendosur kufizime mbi numrin e armëve konvencionale si tanket dhe avionët luftarakë. Por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e ndryshoi ekuacionin ushtarak të Evropës dhe Rusia kërkon tani që traktati të ndryshojë për t’iu përgjigjur nevojave të reja të sigurimit.

Megjithatë, vendet e Nato-s thonë se Rusia duhet të përmbushë së pari detyrimet e saj të bëra në takimin e nivelit të lartë të Stambollit në vitin 1999 të Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të tërhequr forcat e saj ushtarake nga ish republikat sovjetike të Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Rusia tha se trupat e saj po shërbejnë si paqeruajtës në këto dy vende.

Në fjalimin e tij drejtuar deputetëve, Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Kisliak përmendi vendet balltike si një shqetësim tjetër për Rusinë.

“Futja e vendeve balltike në Nato, thotë zoti Kisliak, ka nxjerrë në pah një çështje të paqartë në kufijtë tanë. Problemi është se pas largimit nga Bashkimi Sovjetik, shtetet balltike nuk janë të mbuluara nga ndonjë protokoll për kontrollin e armëve”.

Zyrtarët rusë thanë se vendimi i Dumës mund të kthehet mbrapsht në se vendet e Natos ratifikojnë një version të ndryshuar të traktatit.

Disa vende perendimore janë të shqetësuara se tërheqja ruse nga traktati mund të rrisë tensionet dhe të çojë në një garë të re armatimesh.

Por një analist ushtarak në Moskë, Pavel Felgenhauer thotë se gara e armatimeve ka pak të ngjarë të ndodhë, pasi sipas tij, industritë ruse të ushtrisë nuk janë në gjendje të prodhojnë sasi të mëdha armësh. Zoti Felgenhauer është i shqetësuar se largimi i Rusisë nga traktati do të çojë në minimin e transparencës.

“Inspektimet, paralajmërimet e hershme, njoftimet dhe çdo gjë që i shërben transparencës që nga Oqeani Atlantik e deri në Malet Urale, nuk do të ekzistojnë më”.

Votimi nga Duma për të ndërprerë pjesëmarrjen në Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë duhet të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit rus dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Putin. Largimi nga traktati është planifikuar të fillojë më datën 12 dhjetor, por presidentit Putin i është dhënë në të njëjtën kohë autoriteti për ta ndryshuar vendimin.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me idenë e shfuqizimin të traktatit. Por ai tha se nuk mendon që ky të jetë kapitulli i fundit i kësaj çështjeje. Edhe NATO-ja ka shprehur shqetësimin për votimin e Dumës. //kk//

XS
SM
MD
LG