Lidhje

Nën kritika kompanitë e internetit për lidhjet me qeveri autoritare


Çështja e të drejtave të njeriut dhe marrëveshjet e korporatave me qeveritë autoritare shkaktuan këtë javë një debat të ashpër në Kongresin amerikan. Drejtori ekzekutiv dhe këshilltari kryesor ligjor i kompanisë së Internetit Yahoo u përball me një retorikë të ashpër, pasi Yahoo pranoi se nuk kishte dhënë informacione të plota gjatë një seance të mëparshme dëshmish lidhur me një marrëveshje që kishin patur me autoritetet kineze. Pikërisht ky veprim i kompanisë çoi në burgimin e një disidenti kinez.

Seanca u karakterizua nga tone të ashpëra për lidhur me etikën morale. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, Tom Lantosh, ia kushtoi një pjesë të seancës kritikave të ashpëra ndaj dy punonjësve të kompanisë Yahoo që dëshmuan. "Kjo dëshmi zbulon kryesisht, se ndërsa ju jeni gjigandë në aspektin teknlogjik dhe atë financiar, në të njëjtën kohë mund të them se jeni xhuxhë në aspektin moral," thotë ligjvënësi Lantosh.

Në vitin 2004, gazetari kinez Shi Tao, i dërgoi një E-mail Forumit të të Drejtave të Njeriut në Shtetet e Bashkuara. Në mesazh flitej për kufizimet e medias kineze në raportimin e 15 vjetorit të protestave në Sheshin Tienanmen të vitit 1989. Autoritetet kineze arrestuan e Shi Taon, pasi kompania Yahoo u dha atyre informacione lidhur me aktivitetet në internet. Prillin e kaluar Shi u dënua deri me 10 vjet burgim, nën akuzat se kishte nxjerrë informacione sekrete të shtetit jashtë vendit.

Ligjvënësi Lantosh kërkoi që të dy zyrtarët e kompanisë Yahoo t’i kërkonin falje familjes së Shi Taos, që ishin të pranishëm në seancë. Të dy zyrtarët i kërkuan disa herë falje familjes dhe Komisionit. Por kjo nuk e kënaqi zotin Lantosh dhe ligjvënës të tjerë, mes tyre edhe ai demokrat Brad Sherman. Sherman i kërkoi kompanisë Yahoo që t’i ofrojë ndihmë disidentëve të tjerë, të cilët mund të jenë futur në burg, për shkak të veprimeve të kompanisë. Ja si shprehet zyrtari i lartë i kompanisë Yahoo, Jerry Yang:

"Sapo i thashë kryetarit të komisionit, se jam tepër i hapur për të kuptuar se si mund të ndihmoj në këtë çështje," thotë zoti Yang.

"Dhe unë sapo ju thashë se mund të ndihmosh, duke përmbushur nevojat e tyre humanitare. Zotni, më thoni, po, ose jo, a do ta bëni një gjë të tillë, apo jo?" pyet Senatori Brad Shermand.

"Jam i gtashëm për ta marrë në konsideratë, këtë kërkesë, zoti kongresmen," thotë zoti Yang.

"Je i gatshëm ta shqyrtosh? Kjo do të thotë jo, sipas të gjitha standarteve," përgjigjet Senatori Sherman.

Këshilltari ligjor i kompanisë Yahoo, Michael Callahan, pranoi se kishte dhënë një dëshmi jo të plotë para komisionit në vitin 2006, kur ai tha se Yahoo nuk kishte patur informacione të sakta lidhur me hetimin që po zhvillonte Kina për zotin Shi. Callahan tha se më vonë ai mësoi se kjo çështje përfshinte akuza për “dhënien e informacioneve sekrete jashtë vendit”, një akuzë e zakonshme që ngrenë zyrtarët kinezë ndaj disidentëve. Ai kërkoi falje që nuk e kishte kontaktuar Komisionin pasi mësoi informacionin e ri.

Si Yang, edhe Callahn, nuk e mbështetën ligjin që ka mbetur pezull në Kongres, i cili do t’u ndalonte kompanive të Internetit në Shtetet e Bashkuara të bashkëpunimin me autoritetet në Kinë dhe në vende të tjera të botës, që akuzohen, si qeveri shtypëse. //ad//

XS
SM
MD
LG