Lidhje

"Arma" e internetit në luftën kundër terrorizmit

  • Ruth Rider

Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi këtë javë një seancë dëshmish, për të analizuar përdorimin e Internetit nga terroristët, si mjet për të përhapur ideologjinë e tyre dhe për të rekrutuar anëtarë të rinj. Interneti, thonë ekspertët, nuk është i rregulluar me ligj, prandaj i lejon përdoruesit të mbeten anonimë. Veç kësaj, interneti kushton lirë dhe kjo e lehtëson mjaft përdorimin e tij si armë.

"Video, bloge, dhoma çatimi, mesazhe... të gjitha këto i ekspozojnë rekrutët e rinj ndaj një imazhi romantik për xhihadin me një të rënë të tastierës."

Kongresmeni demokrat Beni Tompson ishte ndër të parët që e mori fjalën në nënkomisionin e dhomës për zbulimin, shkëmbimin e informacionit dhe rrezikun terrorist. Ai mbështet hartimin e një ligji për krijimin e një komisioni kombëtar që do të shqyrtonte shkaqet e ekstremizmit të dhunshëm. Profesor Brus Hofman i Universitetit Georgetown shpjegoi në seancë se si interneti krijon një forum mjaft të favorshëm për terrorizmin global.

"Tani, terroristët mund t’u japin drejtim mesazheve të tyre, mund t’i përshtasin ato për cilindo shtresë të popullatës që përpiqen të arrijnë. Për shembull, sot ekzistojnë grupe terroriste të cilat kanë faqe interneti në 26 gjuhë të ndryshme."

Hofman dhe ekspertë të tjerë që dëshmuan në seancë tha se meqenëse interneti nuk është i rregulluar me ligj, ai i lejon përdoruesit të mbeten anonimë dhe ndonjëherë të pakapshëm. Veç kësaj, interneti kushton lirë. Si gjithë të tjerët, edhe terroristët mund të shkëmbejnë ide në dhomat e çatimit apo me video. Dhe, siç thotë Rita Katz, drejtore e kërkimeve për entitetet terroriste në botë, ata nuk mposhten lehtë.

"Në kushtet kur në Irak, Egjipt, Algjeri, Somali, Libi dhe vende të tjera ka grupe terroriste, të cilat janë besnike ndaj bin Ladenit dhe organizatës së tij, lufta kundër terrorit nuk mund të quhet e fituar."

Anëtarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Xhejn Harman, thotë se megjithë këto pengesa, ajo beson se ngritja e një komisioni kombëtar për parandalimin e terrorizmit mund të gjejë rrugët për ta fituar një luftë të tillë. Harman kryeson nën komisionin për zbulimin dhe informacionin.

"Nuk ka ndonjë ilaç magjik për ta zgjidhur këtë, por ka hapa që mund të ndërmerren",- thotë ajo.

Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi “Aktin për Parandalimin e Radikalizimit të Dhunshëm dhe të Terrorizmit Vendas”, i cili do të ngrinte komisionin kombëtar për luftën kundër formimit të organizatave radikale të dhunëshme. Projektligji pritet t’i kalojë tani senatit për miratim.//lk

XS
SM
MD
LG