Lidhje

Shpikja e një inxhinieri mund të zëvendësojë kimioterapinë


Historia e një burri, i cili u diagnostikua me kancer dhe duke provuar forma të ndryshme kurimi, arriti në përfundimin se duhet të kishte një mënyrë më të mirë për të trajtuar sëmundjen, sesa kimioterapia.

Xhon Kansas jeton me gruan e tij në ishullin Sanibel në Florida. Pesë vjet më parë ai u diagnostikua me kancer, por ajo që e tronditi më shumë ishin pamjet e fëmijëve që i nënshtroheshin kimioterapisë. "I shihja fëmijët tek humbisnin buzëqeshjen e tyre, humbnin flokët... kështu që i thashë vetes: kimioterapia e sotme është e tmerrshme dhe duhet të ketë patjetër një mënyrë më të mirë për të trajtuar kancerin".

Kansas nuk kishte njohuri nga fusha e mjekësisë. Ai ishte inxhinier elektronik dhe mendoi se valët e radios mund të përdoren për të shkatërruar tumoret. Ai përdori pjesë të radios dhe enët e gatimit që përdorte gruaja e tij Marianne për të ndërtuar këtë pajisje. "Më zgjoi nga gjumi në mes të natës nga zhurma që bënte në kuzhinë". Pajisja përdor valët e radios në vend të radioaktivitetit për të shkatërruar qelizat kanceroze.

Doktor Steven Curley, i specializuar në trajtimin e kancerit përmes frekuencave të radios tani është i përfshirë në eksperimentin e Kansasit. "Është një arritje e paparë. Një qytetari të thjeshtë i erdhi në mend ideja dhe kishte mundësitë dhe aftësitë të krijonte këtë pajisje". Doktor Curley thotë se trajtimi ka potencialin të shkatërrojë kancerin pa operacion.

Teknika e Kansasit me valët e radios shkatërroi tumoret kanceroze në mëlçinë e lepujve. Arritja e tij do të botohet në numrin e dhjetorit të revistës mjekësore Kanceri. "E kuptova rëndësinë e asaj që kisha krijuar, vetëm pasi lexova tekste e botuara për të", thotë Kansas.

Ekspertët theksojnë se studimet janë ende në fazat paraprake. Onkologu Robert Young. "Do të parashikoja, bazuar në ato që dimë tani, se ndoshta do të duhen 5 vjet nga prova e parë klinike tek njerëzit. Ndoshta edhe më shpejt". Kanceri i Kansasit është pakësuar, por për sa kohë do të zgjasë kjo gjendje nuk dihet. "Dëshira ime e vetme është të jetojë aq gjatë sa të shohë provën e parë klinike të eksperimentit tim tek njerëzit". //rd//

XS
SM
MD
LG