Lidhje

PNUD, USAID: As shqiptarët dhe as serbët nuk presin kompromis nga negociatat Prishtinë-Beograd

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thanë sot, se as shqiptarët e as serbët e Kosovës, nuk presin që negociatat për statusin të sjellin ndonjë kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa të gjitha komunitetet kanë më pak besim në institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare.

Këto pohime janë nxjerrë nga një anketim i opinionit publik, të përmbledhura në raportin e paralajmërimeve të hershme, një hulumtim që zbatohet nga ky program disa herë në vit, në bashkëpunim me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar.

Sipas shefit të këtij programi, Frode Mauring, nga ky hulumtim janë nxjerrë mesazhe të rëndësishme, të cilat duhet të shqyrtohen me kujdes edhe nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare.

“Besueshmëria në institucionet e Kosovës ka rënë. Nuk ka institucion të Kosovës me punën e të cilit janë të kënaqur, apo shumë të kënaqur, më tepër se 40 përqind e të anketuarve. Përgjatë kohës sa është kryer hulumtimi, gjatë javës së dytë dhe të tretë të tetorit, para fillimit të fushatës zgjedhore, rezultatet tregojnë se: shumica e të anketuarve mendojnë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve ishte i mire. Sipas këtyre rezultateve, Qeveria e re, duhet të sjellë energji të reja dhe gjithashtu të kryej më shumë punë në mënyrë që t’ua kthejë besueshmërinë institucioneve”, tha shefi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, i cili theksin e tij e vuri edhe në dy pika të hulumtimit, rënien e besueshmërisë në institucionet e sigurisë dhe besueshmërinë, siç tha ai, e ulët në gjyqësinë e Kosovës.

Sipas raportit, krahas rënies së besueshmërisë së institucioneve, është rritur mbështetja për lëvizjen “Vetëvendosje”, një lëvizje e cila kundërshton negociatat për statusin e Kosovës.

Raporti ve në pah, se interesimi i qytetarëve për çështjet politike është rritur në krahasim me ato ekonomike. Të ardhurat e familjeve në Kosovë, kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë.

Sipas raportit, rreth 27 për qind e të anketuarve mendojnë se të ardhurat në familje kanë rënë në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që 13 për qind e të anketuarve mendojnë se ato janë rritur.

Raporti vë në pah edhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, të cilat kanë ndryshuar nga hulumtimet e kaluara. Numri i serbëve që kanë vullnet të punojnë me shqiptarët ka rënë dukshëm, krahasuar me marsin dhe qershorin e vitit 2007.

Shqiptarët dhe serbët, gjithashtu kanë mendime të ndryshme se kush është përgjegjës për marrëdhëniet e tendosura dhe derisa shqiptarët e shohin si problem Beogradin dhe mungesën e gatishmërisë së serbëve që të integrohen, serbët ndërkaq vënë theksin në përpjekjet e pamjaftueshme nga shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre.

Shumica e të anketuarve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, mendojnë se vonimi i zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet ndëretnike.//lk

XS
SM
MD
LG