Lidhje

Bërns: Përparësitë e politikës së jashtme amerikane janë zhvendosur nga Evropa


Një zyrtar i lartë amerikan thotë se përparësitë e Uashingtonit në arenën ndërkombëtare janë zhvendosur nga Evropa drejt rajoneve që përbëjnë kërcënim jetik për Shtetet e Bashkuara. Nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’u shtrijnë dorën e bashkëpunimit vendeve të tjera për të përballuar sfidat globale të së ardhmes.

Nënsekretari i shtetit për çështjet politike Nicholas Burns thotë se për dekada të tëra politika e jashtme amerikane ka qenë e përqendruar tek Evropa. Shtetet e Bashkuara patën një kontribut të jashtëzakonshëm tek çlirimi i Evropës, pasi kërcënimet më të mëdha ndaj sigurisë kombëtare të Amerikës në shekullin e 20-të vinin nga Evropa. Nicholas Burns nënvizon ndryshimin e madh që po ndodh tani:

“Ndryshimi më i madh që kam parë 3-4 vitet e fundit është se tani rëndësia strategjike po zhvendoset nga Evropa drejt Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore dhe në disa aspekte edhe në Azinë Lindore. Sepse atje janë tani rreziqet më të mëdha. Nuk do të thotë se Evropa nuk është e rëndësishme. Thjesht do të thotë që ka qenë e suksesshme. Megjithë marrëdhënien tonë të vështirë me Rusinë aktualisht, nuk ka kërcënime ndaj ekzistencës tonë që të vijnë nga Evropa. Por ka nga ato që vijnë nga Lindja e Mesme”.

Duke folur para studentëve për marrëdhënie ndërkombëtare në Washington, numri tre i Departamentit të Shtetit radhiti sfidat më të mëdha me të cilat pritet të përballet bota gjatë 50-70 vjetëve të ardhshëm.

“Mendoj se ato janë ndryshimi i klimës, trafikimi i grave dhe fëmijëve, kartelet ndërkombëtare të drogës, rrjetet e krimit ndërkombëtar, terrorizmi dhe rritja e grupeve terroriste në gjithë botën, si edhe frika se këto grupe mund të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë”.

Zoti Burns thotë se kërcënimet e mëdha globale mund të eliminohen vetëm përmes përpjekjeve shumëpalëshe.

“Emëruesi i përbashkët është se as vendi më i fuqishëm në botë nuk i përballon dot këto sfida nëse nuk punojmë së bashku në Kombet e Bashkuara, me aleatët tanë evropianë në BE dhe NATO, me partnerët tanë afrikanë, Bashkimin Afrikan me Shoqatën e Shteteve të Azisë Juglindore, ose Organizatën e Shteteve të Amerikës”.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit thotë se epoka e izolacionizmit si alternativë për politikën e jashtme amerikane ka marrë fund. Në botën e globalizuar dhe të përparuar teknologjikisht, oqeani Atlantik dhe ai Paqësor nuk janë më pengesa që i mbrojnë Shtetet e Bashkuara nga armiqtë. Mënyra më e mirë për Shtetet e Bashkuara që të mbrojë sigurinë e vet, thotë zoti Burns, është përmes angazhimit me vende të tjera për të përballuar kërcënimet e kohëve moderne. //kk//

XS
SM
MD
LG