Lidhje

25 vjetori i memorialit kushtuar Luftës së Vietnamit


Shtetet e Bashkuara po kremtojnë Ditën e Veteranëve, dita që kujton të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura të vendit. Në Uashington shumë njerëz e kremtuan këtë ditë duke vizituar Memorialin e Luftës së Vietnamit. Në murin e shndritshëm prej graniti janë gdhendur emrat e më shumë se 58 mijë ushtarëve amerikane të vrarë në këtë luftë. Memoriali nderon gjithashtu miliona amerikanë që shërbyen në Vietnam. Nënpresidenti Dick Cheney vendosi një kurorë sot në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Washingtonit. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se Amerika u ka borxh një falenderim të gjithë atyre që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura.

Si shumë kryeqytete të botës edhe Washingtoni ka shumë monumente dhe përmendore. Këtë muaj përmendorja e Veteranëve të Vietnamit shënon 25 vjetorin e inaugurimit. Ky memorial, që dikur ishte objekt debatesh të ashpra, është bërë tani simbol i fuqishëm ku shumë amerikanë vijnë për t’u çmallur.

Këtë vit për të katërtën herë gjatë 25 viteve të fundit u lexuan me zë të lartë emrat e 58 mijë të rënëve në Vietnam. Edhe për shumë e shumë vite pas këtij 25 vjetori të përmendores, emrat do të mbeten të gdhendur në gurin e granitit të zi. Në gur nuk shkruhet asgjë tjetër veç emrave të të rënëve si dhe viti i fillimit të luftës - 1959 dhe i mbarimit të saj - 1975. ”Të shohësh 58 mijë emra është shumë mallëngjyese.” Len Funk e mban mend ditën kur u përurua ky monument para 25 vitesh. ”Kthimi nga kjo luftë ishte i vështirë. Nuk na pritën mirë dhe shumë nga ne luftonin me veten. Ngritja e përmendores na dha rast të mblidheshim, të dilnim në publik.” Jan Scruggs është veteran i Luftës së Vietnamit si dhe themelues dhe president i Fondacionit të përmendores. "Lufta e Vietnamit nuk ishte popullore në Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte një periudhë shumë përçarëse në historinë amerikane. Në Uashington dhe qytete të tjerë pati shumë protesta. Prandaj duhej bërë diçka e cila tu shprehte mirënjohje veteranëve të luftës së Vietnamit. Ndërtimi i Përmendores ishte një ide e imja për një mirënjohje të tillë.” Anne Marie Emmet ka shërbyer si vullnetare në këtë monument për rreth 20 vjet. ”Unë ende takoj veteranë të cilët më thonë: kjo është vizita ime e parë këtu. Kam qenë në Vietnam nga viti 1967 deri më 68 dhe deri tani nuk kam pasur mundësi ta vizitoj përmendoren.” Mike Howell është njëri nga këta veteranë. ”Kam shumë miq të cilët thonë se ky monument më ka sjellë qetësim shpirtëror dhe ndoshta kjo është ajo që kërkoj edhe unë.” Shumë amerikanë vijnë këtu jo vetëm për të nderuar të afërmit por edhe për ta parë vetë përmendoren. Elvis Catlen është nga qyteti i Atlantës në shtetin e Xhorxhias. ”Ne kemi qarë së bashku në këtë përmendore. Të gjithë veteranët e përjetojnë vizitën këtu ndryshe nga njëri tjetri. Memoriali është ndoshta më shërues së çdo gjë tjetër për veteranët e Vietnamit. Është një monument shumë i rëndësishëm.”

Sot shumica e amerikanëve janë tepër të rinj për ta kujtuar luftën e Vietnamit. Por lufta e tanishme në Irak e ka shtuar interesimin e tyre. Mirëpo çuditërisht ky monument i cili ka impresionuar një gjeneratë të tërë në fillim nuk u prit dhe aq mirë. "Kishte disa njerëz në kongresin amerikan të cilët e pezulluan fare projektin. Pra u detyruam të bënim një kompromis”. Kompromisi ishte të ndërtohej një statujë pranë murit të përmendores. Por është vetë përmendorja ajo që tërheq më shumë se 4 milionë vizitorë në vit. Zoti Scruggs thotë se vizitorët do të vazhdojnë të vijnë edhe pasi të ketë vdekur edhe veterani i fundit i luftës së Vietnamit sepse vetë monumenti është një vepër e madhe artistike. //rd//

XS
SM
MD
LG