Lidhje

Dita e Veteraneve në sytë e një ushtari


Çdo 11 nëntor, Shtetet e Bashkuara nderojnë burrat dhe gratë që kanë shërbyer në forcat e armatosura. Fillimisht e quajtur Dita e Armëpushimit, duke qënë se shënonte përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Dita e Veteranëve simbolizon sot vlerësimin e Amerikës për të gjithë ushtarët, detarët, pilotët dhe marinsat. Dhe ndërsa sot ka pak veteranë të mbetur nga Lufta e Parë Botërore, ka mijëra të tjerë që kanë shërbyer në Luftën e Dytë Botërore. Por pak amerikanë e dinë se Japonia dhe Shtetet e Bashkuara luftuan një betejë në tokën amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u zhvillua në ishullin Attu, pjesë e arqipelagut Aleutian në Alaskë. Mijëra ushtarë japonezë dhe qindra amerikanë vdiqën gjatë luftës së Amerikës për të rimarrë këtë ishull strategjik.

Japonia e pushtoi ishullin Attu në vitin 1942, duke krijuar një pozicion strategjik për sulme të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara. Kjo ndodhi gati një vit para se ushtarët amerikanë të dërgoheshin në luftë për të rimarrë ishullin, në atë që do të ishte një betejë e ashpër, që zgjati më shumë se dy javë. Bill Jones është tani 85 vjeç. Ai luftoi në Atu dhe thotë se kushtet në ishull ishin shumë më të vështira nga sa ç’mendohej. "Kishim disa gjëra kundër. Pikë së pari, moti. Ishim të lagur që nga dita kur zbarkuam e deri sa u largova, që në rastin tim ishte 18 ditë më vonë. Ishim si të mpirë. Një shoku im thotë se kaluam dy stuhi. Unë mbaj mend vetëm një. Por moti ishte me lagështi dhe i ftohtë tërë kohën. Mjegulla në Atu ishte pengesa e dytë – ajo është tepër e dendur atje".

Trupat amerikane që u dërguan në Attu ishin të pajisura për të luftuar në shkretëtirat e Afrikës së Veriut – destinacioni i tyre i vërtetë në fakt u mbajt sekret. Kështu që në maj të vitit 1943, mijëra ushtarë amerikanë zbarkuan në Attu, të veshur me rroba të papërshtatshme dhe pa pajisje të mjaftueshme.

Jones kujton se i shpëtoi vdekjes fare rastësisht, kur ushtarët japonezë vranë me bajoneta dhe dogjën dy tenda të ngritura për mjekime, por lanë të paprekur tendën ku ndodhej ai. Jones thotë se kjo eksperiencë pati një efekt të fuqishëm tek ai dhe shokët e tij. "Kur i kujtojë thirrjet që ishin shumë pranë, e ndjej se kam qënë shumë pranë vdekjes. Megjithatë i shpëtova asaj dhe u ktheva në shtëpinë time. Ishte diçka emocionale jo vetëm për mua por edhe për të gjithë të tjerët që ishin me mua".

Vetëm 28 ushtarë japonezë u kapën rob kur amerikanët fituan betejën. Pjesa tjetër e atyre që nuk u vranë në betejë, vranë veten. Regjisori Tom Putnam i cili ka bërë një dokumentar rreth kësaj ngjarjeje të titulluar Red, White, Black and Blue, tregon atë që ndodhi më pas. "Kur përfundoi beteja, amerikanët sollën buldozerë. Shumë japonezë kishin vdekur në vendin e ngjarjes ku kishin kryer vetëvrasje në ditën e fundit të betejës. Ata hodhën veten në erë me granadat e dorës. Dhe amerikanët hapën këto trashe me buldozerë, i hodhën trupat aty dhe i groposën. Disa nga varret kanë shënja, të tjerat jo".

Një kontigjent i vogël zyrtarësh japonezë ishin korrikun e kaluar në Attu me misionin për të identifikuar eshtrat e ushtarëve të vrarë. Majori amerikan Craig Johnson shoqëroi delegacionin në Attu. Ai ka një lidhje disi personale me ishullin pasi gjyshi i tij mori pjesë në atë betejë. Majori Johnson ka shërbyer në Afganistan dhe Irak, kështu që misioni ishte i rëndësishëm për të, për disa arsye. "Ushtarët duan të dinë se nuk do të harrohen. Ata duan të dinë se vendi i tyre do t’i sjellë në atdhe. Kështu që nga prespektiva e ushtarit, pavarësisht kombësisë, ishte diçka mbresëlënëse të isha pjesë e këtij misioni. Po nga ky këndëvështrim ishte edhe lidhja ime me gjyshin. Eca në tokën e shkelur prej tij dhe pashë atë që mund të ketë parë edhe ai. Ai ishte aty për një kohë më të gjatë se unë dhe u përball me kushte shumë herë më të vështira të Attu-së. Por thjesht eksperienca ishte shumë prekëse për mua". Regjisori Tom Putnam thotë se e realizoi dokumentarin e tij si një memorial për ata që humbën jetën në Attu. Është një mënyrë tjetër për të nderuar viktimat e një beteje pak të njohur por të rëndësishme dhe për të kujtuar të gjithë ushtarët e rënë, familjet e të cilëve ende presin që eshtrat e tyre të kthehen në atdhe. //rd//

XS
SM
MD
LG