Lidhje

Kapllan: Rusia nuk do ta pengojë dot pavarësinë e Kosovës


Një ekspert i politikës ndërkombëtare që ka jetuar në Ballkan thotë se Rusia nuk do ta pengojë dot pavarësinë e Kosovës, por shton se pakicës serbe duhet t’i jepen garanci absolute. Robert Kaplan, autori i disa librave mbi përvojat dhe udhëtimet e tij ndërkombëtare, është sot profesor në Akademinë Amerikane të Marinës në Anapolis të Merilendit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kapllan diskuton për gjendjen e sotme në Kosovë dhe të ardhmen e Ballkanit:

Kur Robert D. Kaplan shkruajti librin “Fantazmat e Ballkanit”, në vitin 1990, Muri i Berlinit kishte rënë, por në Jugosllavinë e atëhershme, siç thotë vetë autori, nuk ishte ishte shkrepur ende asnjë armë. Ai parashikoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe ndërkohë që perëndimi ishte përqendruar tek Evropa Qendrore, gazetari i atëhershëm tërhoqi vëmendjen tek Ballkani.

Në një bisedë pranë Akademisë së Marinës, ku ai jep mësim, Profesor Kaplan reflekton për situatën e sotme në Ballkan, statusin e pazgjidhur të Kosovës dhe rolin e lojtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë në zgjidhjen e pjesës së fundit të mozaikut të Evropës. “Kemi përpara një rrugë të vështirë. Besoj se gjeografia përcakton fatin dhe Serbia do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo kufizohet me të paktën tri vende, që ose janë në Bashkimin Evropian, ose po futen në Bashkimin Evropian. Kështuqë mendoj se në fund të fundit, Rusia nuk e ka ndikimin e duhur për të rivendosur në Ballkan pozitën që kishte gjatë Luftës së Ftohtë”.

Profesor Kaplan thotë se Presidenti Putin, do që të rikrijojë atë gjendje që ishte në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe mund të ofrojë kompromis për Iranin, nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë lëshime për Kosovën, Gjeorgjinë etj. Por profesori thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të pengojnë lëvizjet pro-demokratike në Tbilisi, Kiev, Prishtinë dhe në vende të tjera të ngjashme.

Profesor Kaplan mendon se Bashkimi Evropian ka më shumë në dorë lidhur me statusin e Kosovës, sesa Rusia. Ai shpreh besimin se organizata evropiane do të jetë në gjendje ta zgjidhë këtë çështje me ndihmë nga Shtetet e Bashkuara. “Dhe duhet të mos harrojmë që ne nuk do të kemi të njëjtin President në janar të vitit 2009. Nëse demokratët marrin pushtetin, do vijnë njerëz si Richard Holbrook dhe të tjerë që krijuan emër me Ballkanin në vitet 1990. Demokratët veçanërisht janë më të përqendruar tek Ballkani, sepse ishin ata që ndërhynë në vitin 1995 dhe më pas përsëri në vitin 1999”.

Profesor Kaplan gjithsesi parashikon që zgjidhja e statusit të Kosovës do të zvarritet, pasi Shtetet e Bashkuara kanë tani më pak ndikim sesa do të kenë pas një viti e gjysmë.

Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, shpesh tërheqin vëmendjen që pretendimet historike nuk duhet të merren parasysh kur bëhet fjalë për shtetformimin, por profesor Kaplan, thotë se mënyra më e mirë për ta zgjidhur aspektin historik veçanërisht në Kosovë, është që t’i jepet pakicës serbe garanci absolute, sepse nuk duhet harruar që Kosova është për Serbinë ashtu siç është Bregu Perëndimor për Izraelin. “Mund të mos kenë mbetur shumë serbë në Kosovë, por aty janë shumë manastire dhe aty kanë ndodhur shumë ngjarje të historisë serbe. Kështuqë mënyra sesi do të trajtohet çështja e të kaluarës historike është që pakicave t’u jepen të drejta të paprekshme”.

Profesor Kaplan, që është edhe korrespondent i revistës “Atlantic Weekly”, thotë se shumica e vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, kanë bërë përparim të konsiderueshëm vitet e fundit dhe se Kosova dhe Serbia janë bastionet e fundit të Evropës së vjetër. Ai shton se Evropa Juglindore është pjesa e fundit e kontinentit që do të bashkohet me botën moderne, atë të shekullit të 21-të. //ad//

XS
SM
MD
LG