Lidhje

"Coney Island", destinacion i preferuar turistik


50 vjet më parë, Coney Island ishte parku zbavitës më i madh në Shtetet e Bashkuara. Qysh atëherë, popullariteti i tij është pakësuar dhe venitur. Ndërkohë që Coney Island vazhdon të jetë një destinacion ende i preferuar për të kaluar verën për shumë banorë të New Yorkut, ndryshimet në pamjen e tij kanë filluar.

Për shumë njujorkezë si Martha, Coney Island ka qënë një vend i preferuar për breza të tëra fëmijësh dhe të rriturish.

"Si fëmijë më kujtohet ... isha shumë e gëzuar të vija dhe të notoja në oqean, të kërceja në valët e mëdha. Ishte mrekulli".

Kohë më parë, midis viteve 1880 dhe Luftës së Dytë Botërore, një numër parqesh zbavitëse në Coney Island tërhiqnin disa miliona vizitorë në vit. Ndërtuar në vitet 1960, Parku Astroland është tani një nga parqet më të mëdhenj të argëtimit në New York. Menaxheri i Përgjithshëm i Parkut, Mark Blumenthal thotë:

"Kur njerëzve u shkon mendja tek Coney Island, parafytyrojnë Astrolandin. Parku Astroland ka 24 sisteme lodrash. Disa prej tyre janë ndërtuar që në vitin 1964. Për kohën ato ishin shumë të reja".

Treni fluturues Cikloni është një nga xhirot më popullore në Coney Island. Ndërtuar në vitin 1927, është një nga trenat më të vjetër shëtitës që është ende në funksionim në Shtetet e Bashkuara.

Cikloni është ndoshta shëtitja më e famshme në Coney Island. Cikloni ka shumë të përdredhura dhe kthesa. Ai është një tren i ndërtuar me dru. Ka një emër të mirë. Shquhet gjithmonë si një nga trenat fluturues më të mirë në botë. Thuhet se ky është treni që është kopjuar më shumë.

Rrota Ëndërruese Deno është një xhiro tjetër popullore. Ajo është pronësi e familjes Vouderis.

"E veçanta e kësaj xhiroje është se disa nga vagonët janë në shinat e trenit fluturues. Kështu që ndryshe nga xhirot me rrota ka vagona të brendshëm që lëkunden".

Por ndryshimet po vijnë. Një kompani ndërtimesh ka blerë parkun Astroland dhe ka në plan ta sheshojë atë e të ndërtojë një kompleks argëtues të stilit Las Vegas. Shkatërrimi i parkut e bën zotin Blumenthal të ndjehet disi i prekur.

"Nuk e di se si do të duket ky vend në të ardhmen por pas 45 vjetësh besoj se ky është viti i fundit që do të shohim këto aktivitete këtu".

Vourderis ka një farë shprese se disa sistemet e lodrave të parkut mund të mbeten. Cikloni dhe Rrota Ëndërruese me siguri që janë dy gjërat që nuk do të largohen asnjëherë nga Coney Island. //iç//

XS
SM
MD
LG