Lidhje

Qendra Olimpike amerikane përgatit fituesit e ardhshëm të medaljeve


Qendra Olimpike e stërvitjes në Kolorado Springs të shtetit Kolorado përgatit atletët amerikanë për lojërat olimpike botërore. Në këtë qendër janë edhe zyrat qendrore të Komitetit Olimpik Amerikan.

Qendra Olimpike Amerikane e stërvitjes shtrihet në rrëzë të malit të famshëm "Pike’s Peak" në Kolorado. Ajo u konvertua nga një bazë ajrore që u mbyll në vitin 1976. Majk English, drejtori i qendres, tregon se si lindi ideja për qendren olimpike të trajnimit.

“Ideja e kësaj qendre trajnimi lindi për të konkuruar me vendet komuniste si Rusia dhe Gjermania Lindore. Me talentin sportiv që ishte formuar në vitet 50, 60 dhe70-të, vendet perëndimore kuptuan nevojnë për një qendër trajnimi të centralizuar. Kështu komiteti olimpik amerikan dhe Kongresi hartuan një plan dhe një strategji nga ku doli edhe qendra e trajnimit për Shtetet e Bashkuara”, - thotë ai.

Qendra Olimpike në Kolorado Springs është njëra nga tre qendrat më të rendësishme amerikane të këtij lloji.

“Kolorado Springs është qendra kryesore. Është qendra më e madhe me rreth 500 shtretër dhe përbëhet nga 27 ndërtesa ku ka edhe palestra të funksioneve të ndryshme.”

Ky objekt ka dy qendra sportive olimpike me nga 5 mijë metra katëror secila. Ato mund të plotësojnë nevojat e trajnimit për dhjetëra sporte olimpike apo amerikane. Qendra e notit ka një pishinë 50 metër të gjatë dhe 35 metra të gjerë me 30 korsi. Disa nga notarët më të mirë amerikanë dhe lojtarët e polos në ujë janë trajnuar këtu. Kelli Kofman përfaqëson zyrën e shtypit të komitetit olimpik.

Këtu është vendi ku vijnë të gjithë atletët, stërviten, jetojnë dhe bëjnë gjithçka” ,- thotë ai. Atletët e rinj stërviten deri në 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Ky lloj trajnimi shton edhe oreksin.

“Kjo është hyrja për në mensë. Është vetsherbim, dhe mund të hash sa të duash...dhe kjo është mirë për sportistët të cilët kanë nevojë për karbohidrate.”

Mensa është e hapur çdo ditë nga ora 7 e mengjesit deri në orën 8:30 të mbrëmjes. Objektet e fjetjes, ngrënies dhe palestrat për 550 trajnerë dhe sportistë kanë edhe shpenzime të shumta. Por qendra olimpike nuk financohet nga qeveria, thotë Dag Ingram, drejtor i manaxhimit për shërbimet.

“Thuajse 100 përqind e fincancimit vjen nga bizneset amerikane si dhe nga vetë amerikanët përmes dhurimeve apo sponsorizimeve”,- thotë ai.

Qendra Olimpike amerikane e Stërvitjes është ndër të paktat në botë që nuk merr fonde nga qeveria. Por kjo nuk e ka dëmtuar aftësinë e qendrës për të nxjerrë disa sportisët më të mirë që përfaqësojnë Amerikën në Lojërat Olimpike.//lk

XS
SM
MD
LG